Gjatë një vizite në kufirin SHBA-Meksikë në Arizona, kandidati republikan për president Donald Trump, kritikoi kundërshtaren e tij Kamala Harris ndërsa lavdëroi murin që u ndërtua gjatë administratës së tij, por nuk u përfundua kurrë plotësisht.
“Ne jemi këtu në kufirin jugor në Arizona, ku shoqja Kamala Harris, unë e quaj shoqe sepse është një marksiste radikale e majtë. Ajo do kufij të hapur. Ajo dëshiron që vendi ynë të jetë i hapur ndaj kriminelëve të botës. I gjithë ky mur është shumë i shtrenjtë. Ka gjithashtu aftësi të jashtëzakonshme elektronike brenda. Ka tela, kamera dhe gjithçka tjetër që mund të keni”, tha Trump.
Trump e bëri vizitën në kufi vetëm disa orë përpara se Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris të mbante fjalimin e saj në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago. Ai u pyet gjithashtu nga një gazetar në lidhje me një burrë nga Arizona që kërkohej për kërcënim në mediat sociale për të vrarë ish-presidentin Donald Trump .
“Jo, nuk e kam dëgjuar këtë, por nuk jam aq i befasuar. Kam shumë respekt për Shërbimin Sekret që më mbrojtën nga sulmi. Por, faleminderit që më tregove”, tha Trump.
Policia arrestoi një person nga Arizona, i cili dyshohet se kërcënoi se do të vriste Donald Trump ndërsa ish-presidenti po vizitonte shtetin kufitar.
Ronald Lee Syvrud, 66 vjeç, nga Cochise County, ka kërcënuar me vdekje Trump në postimet e mediave sociale gjatë dy javëve të fundit.
Trump e vuri theksin tek sulmet e kryera nga emigrantët e paligjshëm. Kjo është vizita e katërt, në një seri aktivitetesh të mbajtura këtë javë në ato që njihen si shtete fushëbeteje, ndërsa demokratët po mbajnë Kuvendin Kombëtar në Çikago.
Gjatë aktivitetit në Arizona, siguria ishte shumë e lartë pas tentativës për vrasje në Pensilvani. Forcat e sigurisë dukeshin qartë edhe në anën meksikane të kufirit, mes tyre persona të armatosur dhe të tjerë mbanin uniforma që i identifikonin si anëtarë të policisë së shtetit meksikan.
Këtë javë, Trump ka udhëtuar në Pensilvani, Miçigan dhe Karolinën e Veriut si dhe do të mbajë aktivitete elektorale në Las Vegas dhe në periferi Feniksit, në Glendale.
Harris ka mbledhur një rekord fondesh prej 500 milionë Dollarësh dhe ka ngushtuar hendekun ndaj Trump në shumë sondazhe. Në mbarë vendin, ajo kryeson Trump me 46.6% në 43.8%, sipas një sondazhi nga FiveThirtyEight.
Klan News