Regjistrimi audio: Të gjenden 11 780 vota, ne kemi fituar
Presidenti Donald Trump përfshihet në një tjetër skandal vetëm pak ditë para largimin përfundimtar nga Shtëpia e Bardhë. E përditshmja Uashington Post ka publikuar një regjistrim zanor rreth 1 orë të gjatë të një telefonate, ku Trump i kërkon sekretarit të Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, gjithashtu republikan që t’i gjejë 11 780 vota në këtë shtet federal.
“Gjithçka që dua të bëhet është të gjenden 11 780 vota, një më shumë nga ç’është diferenca aktuale, sepse ne e kemi fituar atje. Dhe nuk ka asgjë të keqe të thuash që i llogaritëm sërish rezultatet”.
Trump kërkon që zyrtari i lartë i Xhorxhias të gjejë fakte mbi pretendimet e tij për manipulim të zgjedhjeve, ndërsa e kërcënon me veprime ligjore të cilat nuk i përcakton, nëse Raffensperger nuk plotëson kërkesën e tij. Por ky i fundit thotë se procesi ka qenë i rregullt dhe se nuk ka asnjë arsye për të gjetur votat që pretendon Trump.
11 senatorë republikanë kanë kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për pretendimet e Trump për manipulim të zgjedhjeve të 3 Nëntorit. Të Martën, të dyja dhomat e Kongresit do të votojnë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve nga kolegji ku fitues doli Joe Biden. Rezultati ka pak gjasa të ndryshohet pasi republikanët janë me 2 senatorë në avantazh, ndërsa një pjesë e tyre kanë premtuar se nuk do të hedhin poshtë zgjedhjen e Biden-it.
Tv Klan