Entuziazmi pushtoi sallën e parlamentit grek, pasi qeveria Cipras u mbështet me 151 votat e nevojshme për t’i mbijetuar mocionit të mosbesimit. Po aq i rëndësishëm ishte edhe lajmi se nga Shkupi kishte mbërritur nota verbale, me të cilën qeveria greke informohet mbi finalizimin e procesit të ndryshimeve kushtetuese, çka i hap rrugë nisjes së procedurave të miratimit të Marrëveshjes së Prespës edhe në parlamentin grek.

“Nocioni “nationality” i referohet ekskluzivisht nënshtetësisë dhe nuk përcakton kombësinë. Së dyti, gjuha e fqinjëve tanë siç është njohur nga konventa e OKB në 1977, i përket grupit të gjuhëve sllavike të jugut”,

tha Kryeministri grek

.

Cipras e bëri këtë sqarim pas lidhjes që kreu i opozitës Kyriakos Mitsotakis i bëri votëbesimit të qeverisë me votimin e marrëveshjes së Prespës.

“Dua të jem absolutisht i qartë: Kush i jep votëbesimin qeverisë, voton “po” edhe për Marrëveshjen e Prespës, që përbën një lëshim të madh kombëtar”.

Krahas 151 votave që mori për mocionin e besimit, Cipras pritet të sigurojë edhe 4 vota të tjera parlamentare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Tv Klan