Alexis Tsipras përballet sot me të dytin mocion votëbesimi për qeverinë e tij për këtë vit. Një sfidë që nuk do ta ketë të vështirë ta fitojë, por që pritet t’i japë forcës politike që ai drejton, më tepër besueshmëri para zgjedhjeve të trefishta të këtij viti.
Ishte vetë Tsipras që e kërkoi mocionin, pas presionit të opozitës për të larguar Ministrin alternativ të Shëndetësisë, Pavlos Polakis. Ky i fundit kishte deklaruar se kandidati e Demokracisë së Re në opozitë për zgjedhjet europarlamentare, Stelios Kiburolulos nuk e meritonte kandidaturën, pasi edhe vendin e punës në spitalin shtetëror e kishte fituar pa meritë, por duke shfrytëzuar kuotat për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. 24-vjeçari Kiburopulos vuan nga një sëmundje e rrallë muskulore, prej të cilës lëviz në karrige me rrota. Demokracia e Re e quajti fyerje për njerëzit me aftësi të kufizuara këtë deklaratë.
Mocionin e votëbesimit, qeveria Tsipras pritet ta fitojë me 152 vota, aq sa siguroi në Janar pas largimit të ish-aleatëve të djathtë “Grekët e Pavarur”. Në sondazhe, Siriza ka ngushtuar 7% diferencën me Demokracinë e Re që kryeson sondazhet para zgjedhjeve europarlamentare dhe lokale të 26 Majit, por edhe atyre të përgjithshme të Tetorit.
Tv Klan