Për herë të parë, Greqia ka shprehur hapur kushtin që ka ndaj Shqipërisë për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.
Kryeministri Alexis Tsipras, i cili ka paralajmëruar për zgjedhje të parakohshme në Greqi më 7 Korrik, ka prezantuar programin e partisë që ai drejton, Syriza. Përpos çështjeve të brendshme, Tsipras ka folur edhe për diplomacinë e Greqisë dhe raportet me shtet me fqinje.
Sa i përket Shqipërisë, kushti për anëtarësim në BE janë të drejtat e minoritetit grek.
“Të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri për herë të parë përcaktohen si kriter për hyrjen në Bashkimin Europian”. Kjo është pika për Shqipërinë në programin politik të partisë së Tsipras, që saktëson qartë kushtin për vendin tonë.
Greqia ka kërkuar vazhdimisht respektimin e të drejtave të minoritetit grek dhe të pronave të tyre, sidomos në zonën e Himarës, si një nga kriteret për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Por, për herë të parë kjo pikë është konkretizuar në programin elektoral të Syrizas, e cila e konsideron kusht në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. /tvklan.al