Pasditen e së dielës, një ditë para protestës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka takuar drejtorin e Tiranës, Tonin Vocaj dhe shefat e komisariateve në kryeqytet.
Sipas gazetarit të Klan News Besar Bajraktaraj, në fokus kanë qenë masat e ndërmarra para, gjatë dhe pas tubimit. Që prej pasdites së djeshme policia ka kaluar në gatishmëri. Një nga porositë e Prodës është kontrolli për personat e dhunshëm që marrin pjesë në protesta. Ndërsa efektivëve u është kërkuar të mos provokohen nga dhunuesit.
“Mos u provokoni nga protestuesit. Ndërhyrjet të jenë të minimizuara vetëm në raste nevoje, mos të krijohen përplasje të provokuara. Ruani qetësinë dhe godinat e institucioneve. Kujdes listat me emrat e personave që kanë precedentë të mbahen nën vëzhgim. Të filmohen dhe dokumentohen të gjitha veprimet e dhunshme dhe të jashtëligjshme të kryera nga protestuesit”, ka qenë një nga porositë e Prodës.
Kujtojmë se Proda u emërua në krye të Policisë së Shtetit 4 ditë më parë. Proda u prezantua në një ceremoni të shkurtër, ku të pranishëm ishin edhe drejtuesit e tjerë të Policisë së Shtetit.
/tvklan.al