Tuneli i Murrizit, vepra infrastrukturore në “Rrugën e Arbrit” do të hapet më 14 Mars. Lajmi bëhet i ditur nga zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një inspektim në këtë tunel.

Balluku shprehet se ndërkohë vazhdojnë punimet për tunelin ndihmës, i cili është pjesë e këtij projekti

“Dua t’ju bëj me dije të gjithë qytetarëve të interesuar se me datë 14 Mars sipas të gjitha gjasave tashmë ëhstë koha për ta deklaruar një datë, ne do të hapim tunelin e Murrizit për akses të gjitha automjetet dhe drejtuesit e automjeteve në drejtim të Tiranës dhe atë të Dibrës dhe ndërkohë vazhdojmë të punojmë me tunelin ndihmës i cili është pjesë e këtij projekti”, tha ministrja Balluku.

Ndër të tjera Balluku thotë se Rruga e Arbrit është një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, që do të shënojë rritjen ekonomike të gjithë kësaj zone.

“Jemi në detajet e fundit dhe çdo gjë duket se po shkon mirë dhe siç duhet. Ju jeni duke gëzuar sepse një punë e jashtëzakonshme ka përfundur. Megjithatë do të kemi mundësinë që të gëzojmë të gjithë së bashku më 14 Mars bashkë me pranverën të hapim edhe Rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, një nga rrugët që padyshim do të shënojë rritjen ekonomike të gjithë kësaj zone”, shprehet Balluku./tvklan.al