Tuneli i Murrizit do të jetë i kalueshëm për të gjithë drejtuesit e automjeteve në Mars të vitit 2025. 

Gjatë inspektimit të punimeve, Zëvendëskryeminsitria Belinda Balluku tha se shkak i vonesave u bë gjeologjia e dobët si dhe rrëshqitja e dherave për përfundimin plotësisht të tunelit të emergjencës, që është në fazën përfundimtare.

“Tuneli do hapet në Mars të 2025 sikundër edhe tuneli emergjencës. Duhet të përfundojë në të gjitha detajet e tij sepse ndodhet edhe tuneli i emergjencës, që është në hapat e fundit. Tuneli do hapet vetëm kur të jetë plotësisht gati, për shkak të formacionit gëlqeror.”

Pavarësisht vonesave për përfundimin e këtij segmenti të Rrugës së Arbrit, Balluku hodhi poshtë zërat se qeveria ka rritur financimet për ndërtimin e tij.

“Kontrata e Rrugës së Arbrit është e lidhur me çelësa në dorë dhe shteti shqiptar nuk ka shtuar asnjë qindarkë. Është e njëjta paketë financiare siç është parashikuar në nisje të punimeve.”

Tuneli i Murrizit është segmenti i fundit i papërfunduar i Rrugës së Arbrit, e cila u hap për qarkullimin e automjeteve në 29 Nëntor të vitit 2021. Ky tunel ka një gjatësi prej 3.7 km dhe puna për hapjen e tij nisi në Maj të vitit 2019.

Rruga e Arbrit ka një gjatësi rreth 74 km dhe përmes këtij segmenti rrugor shkurtohet ndjeshëm në vetëm 47 minuta nga 1 orë e 20 minuta distanca mes Tiranës e Peshkëpisë.

Tv Klan