Kryeministri e vlerëson me nota maksimale sezonin turistik. Siguria, pastërtia, cilësia e shërbimit këtë vit, sipas tij kanë qenë shumë më të larta se vitet e shkuara.
Atyre që ankohen se çmimet janë të larta, Rama iu kundërvë opinionet e turistëve të huaj që kanë pushuar në Shqipëri.
“Atyre që thonë çmimet janë të larta, iu them: Turistët e huaj vijnë në Shqipëri dhe thonë është shumë e bukur, çmimet janë të lira dhe mikëpritja është e jashtëzakonshme. Ndërkohë, shqiptarët thonë pushimet janë shumë të shtrenjta. Ose turistët e huaj janë nën efektin e drogës ose pastaj ka një problem me vetë këta që komentojnë. Çmimet i vendos tregu jo qeveria.
Nuk ka çmime të larta që e lënë restorantin apo hotelin bosh sepse falimenton. Përderisa ka klientë, atëherë do të thotë që ka një balancë. Nuk diskutohet që në Shqipëri pushimet janë shumë të lira. Numri i shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë shtetit është rritur. Kjo tregon rritje të fuqisë së konsumit”,
u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij.
Kryeministri dhe ministrat e Turizmit dhe Bujqësisë bashkëbiseduan ne plazhin e Gjirit të Lalëzit me të rinjtë e angazhuar në projektin Smile Albania, një projekt që ata premtojnë se do të vijojë edhe vitin e ardhshëm pasi pati suksese.
“Ka lezet t’ju shohin ju turistët, jo ata barkëderrat që duken se kanë 3 koka sa të miat në bark”.
Një mijë të rinj u vendosën në 9 pikat hyrëse kufitare për të mikëpritur, orientuar apo dhënë asistencë turistëve të huaj.
Tv Klan