Para më shumë se dy vitesh, në Tetor të vitit 2016, emisioni “Stop” në Tv Klan denoncoi rastin e ish-kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës Guximtar Boçi, i cili i kërkoi favore seksuale qytetares me iniciale R.I. për të dhënë një vendim gjyqësor në favor të saj.
Kjo çështje ka kaluar në një kalvar të gjatë gjyqësor dhe pas gjithë kësaj kohe, jo vetëm që nuk ka patur një proces gjyqësor ndaj Guximtar Boçit, por ky i fundit kërkon madje rikthimin në detyrë.
Kur u denoncua rasti, Këshilli i Lartë i Drejtësisë pezulloi nga detyra gjyqtarin Guximtar Boçi. Prokuroria e Krimeve të Rënda që duhet të hetonte rastin, shpalli moskompetencë dhe e kaloi në Prokurorinë e Fierit. Dosjen e mori në dorë prokurorja Elida Hoxhaj, e cila me një vendim skandaloz pushoi këtë çështje.
Por, pavarësisht pushimit të çështjes në mënyrë flagrante, gjyqtarja Okleda Liço (Manellari) e prishi këtë vendim dhe e riktheu dosjen për gjykim. Gjyqtarja Okleda Liço i kërkoi prokurores Elida Hoxhaj që të bëjë hetim të thelluar për këtë dosje, duke përfshirë akt-ekspertimin për autenticitetin e zërit të gjyqtarit Guximtar Boçi dhe denoncueses R.I., sikurse e përcakton ligji. Madje, kërkoi që prokurorja Elida Hoxhaj të thërrasë dy personat e përfshirë për t’iu marrë dëshminë. Asnjë nga këto nuk ndodhi.
Prokurorja e Fierit Elida Hoxhaj e apeloi vendimin e gjyqtares Okleda Liço, e cila kërkoi hetim të thelluar për dosjen e Guximtar Boçit. Ishte Gjykata e Apelit të Vlorës që e mbylli sërish çështjen ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës. Mungesa e gjykimit të kësaj dosje, duke pushuar hetimet ndaj gjyqtarit Guximtar Boçi, bëri që ky i fundit para disa javësh të kërkonte edhe rikthimin në detyrë.
“Stop” vazhdoi t’i shkonte deri në fund kësaj çështje, duke bërë atë që drejtësia ka refuzuar ta kryejë edhe pse e përcakton ligji, të provojë autenticitetin e zërit.
Emisioni investigativ “Stop” mori përsipër që ta bëjë akt-ekspertizën në një studio private të licencuar dhe të njohur ligjërisht edhe nga shteti shqiptar. Përpos zërit të Guximtar Boçit në audio-regjistrimin e denoncuar në Tetor 2016, zëri i tij origjinal për krahasim u mor nga regjistrimet e Gjykatës së Gjirokastrës gjatë seancave gjyqësore. Nga krahasimi i dy zërave, rezultoi se bëhet fjalë për të njëjtin person. Zëri në audio-përgjim është ai i Guximtarit Boçit. Ekspertiza e kryer mban firmën e ekspertit Artan Rexhepi.
Gazetari dhe drejtuesi i “Stop” Saimir Kodra tha se rezultatet e këtij akt-ekspertimi do t’ua dërgojë Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, kryeprokurores së përkohshme Arta Marku, Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe prokurores e gjyqtarëve që mbyllën këtë dosje.
“Sigurisht që ky akt-ekspertim do t’i shkojë KLGJ-së, prokurores Arta Marku, për dijeni Presidentit të Republikës e gjithë këtyre emrave, prokurores, gjyqtarëve të Apelit në Vlorë që nuk e bënin dot. Bashkangjitur me këtë, do t’ju çoj edhe 10 ose 15 ligje të laboratorëve shumë të mirë ku mund ta bënit akt-ekspertimin. Ky është në Tiranë, është një ekspert i licencuar, që e njeh shteti dhe që gjykatat e marrin pikërisht për këtë punë, për të bërë ekspertimin për të parë nëse zëri apo fytyra është e të njëjtit person. Pra ky proces në gjykatat shqiptare është rutinë”
, tha drejtuesi i emisionit “Stop” Saimir Kodra.
Nga ana tjetër një grup organizatash joqeveritare i kanë drejtuar një kërkesë publike të gjitha organeve të drejtësisë, që të verifikojnë çdo hap të procesit ndaj ish-gjyqtarit Guximtar Boçi. /
tvklan.al