Turqia i kundërpërgjigjet sulmit terrorist të militantëve të dyshuar të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se 32 objektiva u shkatërruan në operacionin ajror kundër objektivave terroristë në veri të Irakut dhe Sirisë.

Në deklaratën e Ministrisë thuhet se “me qëllim eliminimin e sulmeve terroriste kundër popullit tonë dhe forcave të sigurisë dhe për të garantuar sigurinë tonë kufitare, gjithsej 32 objektiva që i përkisnin terroristëve u shkatërruan me sukses nga operacionet tona ajrore dhe një numër i madh terroristësh u neutralizuan duke përdorur sasinë maksimale të municioneve vendase dhe kombëtare”.

Ministria e Mbrojtjes thotë se do të vazhdojnë të luftojnë kundër terrorizmit me vendosmëri për sigurinë e vendit dhe kombit.

Kujtojmë se të paktën 5 persona mbetën të vrarë dhe 22 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi të armatosur në një kompani shtetërore të mbrojtjes së hapësirës ajrore, 40 kilometra në afërsi të Ankarasë.

Autorët zbriten nga një taksi, të cilën e kishin rrëmbyer pasi kishin vrarë shoferin, dhe shfrytëzuan momentin e ndërrimit të personelit të kompanisë për të hyrë brenda kompleksit industrial dhe për të kryer sulmin.

Ata bënë një shpërthim të fuqishëm eksplozivi para portës së kompanisë dhe më pas sulmuan ndërtesën me automatik. Nga përplasja me policinë, mbetën të vrarë edhe 2 prej autorëve, duke e çuar në 7 numrin total të viktimave të kësaj ngjarje që autoritetet turke e cilësuan terroriste.

Klan News