Komrom Zukurov, i riu nga Taxhakistani që u ndalua në Shqipëri si pjesë e një celule terroriste ka dalë para gjykatës këtë të shtunë ku u njoh me masën e sigurisë arrest me burg.
I riu nga Taxhakistani mbrohet nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani. Ky i fundit është shprehur para gjykatës se, klienti i tij nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar, pasi nuk ka prova se ai do të përfshihej në sulme terroriste.
“Nuk u arrestua nga policia i mbrojturi prej meje. Ai u vetëdorëzua në polici. S’ka prova që do përfshihej në sulme terroriste. I pandehuri është deportuar nga Gjermania në Taxhikistan. Atje është torturuar dhe është kërcënuar se do të mbahet nën vëzhgim 24 orë”, mësohet të ketë thënë ai.
Siç duket nga pamjet e siguruar nga Tvklan.al, 24-vjeçari është pajisur dhe me masat mbrojtëse kundër koronavirusit.
Zukurov u arrestua më 30 Prill teksa lëvizte në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë. Ai kishte hyrë në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit dhe qëndronte prej dy muajsh në një familje taxhakistaneze që jetonte në zonën ku ai u arrestua.
Ai kërkohej nga drejtësia gjermane si pjesë e një celule terroriste. 5 anëtarë të celulës ku bënte pjesë 24-vjeçari u arrestuan nga policia gjermane në 15 Prill në Berlin. Ata akuzohen se kishin planifikuar të kryenin sulme ndaj kritikëve të Islamit dhe ndaj bazave të forcave amerikane në Gjermani./tvklan.al