U denoncua nga “Stop” se mori 800 mijë Lekë për një paciente
59-vjecarja Tire Alldervishi, sanitarja e spitalit Shefqet Ndroqi që u denoncua mbrëmë në emisionin Stop në Tv Klan, u arrestua mëngjesin e të mërkurës.
Prokuroria e Tiranës lëshoi urdhër-arrestin, pas denoncimit që bëri e afërmja e një viktime të Covid-19 që po trajtohej në spitalin ku ajo punonte.
Ajo tha para kameras se Tire Alldervishi, duke u hequr si infermiere, i kishte marrë 800 mijë Lekë të reja për t’u kujdesur për nënën e saj 55-vjeçare, e cila nuk arriti ta fitonte betejën me Covid-19.
“Shuma që Tirja nga unë ka marrë është 8 milionë e pak lekë të vjetra. Duke qenë shumë ditore 250, 300 për një muaj dhe shumë e shumë të tjera që blija e i fusja në spital. Ushqimin e fusja vetë. Ujin e fusja vetë. Pampersin vetë. Insulinën vetë. Ilaçin e gojës e të gjitha gjërat që spitali duhet t’i ketë”.
Vajza tregoi të gjithë mekanizmin që është përdorur nga sanitarja për korrupsionin, duke pretenduar se një pjesë të lekëve ia jepte mjekëve dhe punonjësve të tjerë të spitalit.
“Turni i parë që në mëngjes ishte 50 mijë lekë për infermierët, 50 mijë lekë për Tire Alldervishin, 20 mijë lekë për sanitaren. Përveç kësaj një ditë ishte 100 mijë lekë për doktoreshën dhe 50 mijë lekë ishte për ditën tjetër për doktoreshën. Pastaj vinte turni tjetër dhe ishte e njëjta histori. Me të njëjtën shumë. Të gjithë lekët i merrte Tirja”.
Madje në një moment sanitarja edhe pse ka marrë ryshfet 7 mijë Lekë për një shërbim nga vajza e së ndjerës, ka treguar sërish pakenaqësi për këtë shumë.
Tire Alldervishi: Ato 70 mijë lekëshin përse ma dhe? Për ditën apo për natën?
Për ty, qëparë të dhashë 50 për Fatjonin dhe pastuesen.
Tire Alldervishi: Poo.
70 është për ty sonte.
Tire Alldervishi: Për mua janë pak për sonte.
Më thuaj sa do se t’iu jap në mëngjes për Titin mos e vrit mendjen, vetëm m’i rri mamit afër.
Tire Alldervishi: Po sikur më premtove që do e rregulloje dorën.
Mos e vrit mendjen, vetëm m’i rri afër se me i ndodh gjë se shoh më me sy po përvëlohet zemra. Pa merak fare, nesër në mëngjes t’i sjell unë.
Tire Alldervishi: Okej nuk mërzitem. Mund të gjesh dhe njeri tjetër më të mirë dhe më të lirë, nuk më ngelet qejfi.
Gjatë një komunikimi me një doktoreshë të spitalit konfirmohet se Tirja nuk ka qenë infermiere, por sanitare. Madje ajo nuk shërbente në pavionin ku ka qenë shtruar e sëmura.
Doktoresha: Alo…!
Denoncuesja: Alo, përshëndetje doktoreshë! Ju kërkoj ndjesë për shqetësimin…!
Doktoresha: Po!
Denoncuesja: Jam vajza e Liljanës…,nëse më mban mënd?
Doktoresha: Po, po, po, patjetër. Si je ti?
Denoncuesja: Dua vetëm një informacion, se po e vuaj shumë nga brenda…!Tirja ka qenë infermiere, apo sanitare në spitalin tuaj?
Doktoresha: Jo, Tirja nuk është fare në pavijonin tonë, nuk ka lidhje fare me pavijonin tonë.
Denoncuesja: Po ku punon, në katin e tretë, pavijonin e tretë, sanitare apo infermiere?
Doktoresha: Sanitare!
Vetë Tire Alldervishi në regjistrim me një kamera të fshehtë pranon se i ka marrë Lekët nga vajza e 55-vjeçares, por se një pjesë të tyre i ka ndarë me mjekët dhe personelin e Shefqet Ndroqit.
Prokuroria e Tiranës i tha televizionit Klan se Tire Dervishi nuk ka pranuar të flasë gjatë marrjes në pyetje. Organi i akuzës po heton edhe infermierët dhe mjekët e përmendur nga sanitarja apo vajza që bëri denoncimin. Nëse nga hetimet do të rezultojë se ata janë të përfshirë në keëtë skandal, çështja mund t’i kalojë SPAK për korrupsion.
Tv Klan