Sabrina vjen nga Bergamo ku jeton prej 14 vitesh për të ndarë historinë e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Përpara se të largohej për në Itali, ajo jetonte në Kavajë nga ku nis edhe rrëfimi për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Në moshën 15-vjeçare, njohu një djalë që ishte edhe dashuria e parë e Sabrinës. Me ngulmimin e saj dhe miratimin e dy familjeve, ata u fejuan.

Sabrina: Unë kur isha e vogël, në një moshë shumë të vogël, njihem me një djalë.

Ardit Gjebrea: Kur thua në një moshë të vogël, sa vjeç ishe?

Sabrina: 15 vjeç.

Ardit Gjebrea: Po ç’deshe?

Sabrina: Ç’desha! Njihem me një djalë…

Ardit Gjebrea: Të pëlqeu.

Sabrina: Më pëlqeu.

Ardit Gjebrea: Çfarë të pëlqeu tek ai?

Sabrina: Ishte një djalë i qeshur në atë kohë, shumë shakaxhi dhe të bënte për vete.

Ardit Gjebrea: Më pëlqeu fjala “në atë kohë”. Dhe re në dashuri.

Sabrina: U fejuam.

Ardit Gjebrea: Në çfarë moshe u fejove?

Sabrina: 15 vjeç e gjysmë.

Ardit Gjebrea: Familja?

Sabrina: Duke qenë se  jemi nga i njëjti vend, familjet tona njiheshin dhe ishin dakord për këtë gjë që të dyja palët.

Ardit Gjebrea: Edhe pse ti ishe 15 vjeç.

Sabrina: Edhe pse unë isha 15 vjeç sepse unë e doja. 

Djali  jetonte në Itali, por përpara se Sabrina të zhvendosej atje bënë një dasmë madhështore kur ajo ishte 18 vjeçe. Më pas,erdhën dy bekime në jetën e tyre e më vonë një goditje e fortë.

Sabrina: 18 vjeçe, ngel shtatzënë dhe vjen në jetë Ema.

Ardit Gjebrea: Vajza jote.

Sabrina: Vajza ime.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç është sot?

Sabrina: 12 vjeç. Vjen Ema, si bekim për ne, një fëmijë që na ka sjellë shumë të mira dhe ditë të bukura.

Ardit Gjebrea: Ema lindi në Itali?

Sabrina: Në Itali. 8 muajshe shtatzënë me Emën, kam kaluar një atak kardiak, por çdo gjë shkoi me sukses.

Ardit Gjebrea: Nga se të erdhi?

Sabrina: Nuk dihen shkaqet deri sot. Pas një viti që kishim gocën, Emën, marr vesh që isha shtatzënë me Ambrën.

Ardit Gjebrea: Ah, ti ke dy goca?

Sabrina: Dy goca.

Ardit Gjebrea: T’i kesh me jetë!

Sabrina: Faleminderit! 

Ardit Gjebrea: Dhe gjithçka vazhdonte shumë mirë.

Sabrina: Gjithçka vazhdonte shumë, shumë mirë.

Ardit Gjebrea: Por çfarë ndodhi?

Sabrina: U ftohëm. Nisi marrëdhënia të ftohej.

Ardit Gjebrea: Ka gjithmonë një motiv.

Sabrina: Ka qenë koha e Covid-it, kur ra Covid-i.

Ardit Gjebrea: Pas sa vitesh martesë?

Sabrina: 13 vite. Me mirëkuptim, jemi shkëputur nga njëri-tjetri.

Sabrina zgjodhi të vazhdonte të jetonte në Bergamo për hir të marrëdhënies së vajzave me të atin. Ajo pati edhe një njohje tjetër për të cilën nuk ndan detaje, por i thotë të gjitha me një psherëtimë e mjaftohet me shpjegimin “preka fundin”. Brengës së saj i shtohet reagimi i familjes që s’ishte kundër divorcit të parë, por pësoi një zhgënjim të madh nga marrëdhënia e dytë e Sabrinës./tvklan.al