Vrasja e udhëheqësit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh ka bërë të shtrohet një pyetje shumë e rëndësishme. Çfarë do të ndodhë me armëpushimin në Gaza?
Indiciet e para thonë se Haniyeh dhe truprojat e tij u vranë nga një raketë që goditi shtëpinë ku ata po qëndronin në Teheran. Sytë shkojnë padyshim drejt Izraelit që ka premtuar të gjurmojë dhe ndëshkojë të gjithë drejtuesit e Hamasit pas sulmit të 7 Tetorit që la të vdekur 1200 izraelitë dhe turistë atje.
Zakonisht, Izraeli nuk i komenton operacionet e saj jashtë vendit. Megjithatë siç shkruan BBC, ky operacion mund të ketë ndjekur strategji si një operacion tjetër i Izraelit që kishte për qëllim shënjestrimin e mbrojtjes ajrore iraniane në ndërtesën bërthamore në Natanz më 19 Prill.
Besohet se avionët e Izraelit kanë lëshuar raketat jashtë hapësirës ajrore iraniane. Por teksa detajet e sulmit dalin në dritë pak nga pak, në fokus vijnë edhe pasojat politike. Më e dukshme është tek përpjekjet për të negociuar një armëpushim në Gaza.
Ismail Hanieyh me të vërtetë nuk ishte përgjegjës për atë që ndodh në terren në Gaza, e cila është detyrë e komandantit ushtarak Yahya Sinwar, por si udhëheqës i Hamasit në arrati ishte një bashkëbisedues kryesor në negociatat që u ndërmjetësuan nga Katari, SHBA-ja dhe Egjipti.
Amerikanët kishin deklaruar së fundmi se bisedimet për një armëpushim mund të përfundonin së shpejti me sukses, pavarësisht një takimi në Romë javën e kaluar që nuk u mbyll me një lajm të mirë. Por tashmë është shumë e vështirë të shohësh progres sidomos pas vrasjes së Ismail Haniyeh.
Pse ndodh tani kjo vrasje?
Të gjitha këto të çojnë në disa pyetje shumë të rëndësishme: Nëse ishte, siç mendojnë të gjithë, një operacion i Izraelit, pse u ndërmorr tani? Përtej dëshirës për hakmarrje mbi çdo njeri të lidhur me Hamasin, çfarë shpresonte të arrinte Izraeli?
Ministri i Jashtëm i Turqisë ka hedhur akuza ndaj qeverisë së Netanyahu-t.
“Sulmi bëri të qartë edhe një herë se qeveria e Netanyahu-t nuk ka qëllime për të arritur paqen”, tha ai.
Në Ramallah, ku ndodhen zyrat qendrore të Autoritetit Palestinez, lajmi i vdekjes së Haniyeh ka sjellë tronditje.
“Është si të hapësh derën e ferrit”, tha Sabri Saidam, zv/Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të partisë qeverisëse, Fatah.
“Jo vetëm që ndjeva se Izraeli po synonte t’i merrte jetën Ismail Haniyeh, por për më tepër jetën e çdo vendbanimi në rajon. Izraeli ka vrarë të gjitha shpresat dhe aspiratat për t’i dhënë fund armiqësive”, tha ai.
Fatah dhe Hamas kanë qenë prej kohësh kundërshtarë. Mirëpo Saidam mohoi zërat se Fatah mund të përfitojë nga vdekja e liderit të Hamasit.
“Kurrë në politikën tonë nuk është menduar se udhëheqja duke eliminuar të tjerët është rruga e përparimit. Krijon më shumë ndarje dhe urrejtje”, shtoi ai.
Pritet që në Ramallah dhe Bregun Perëndimor të mbahen protesta të fuqishme. Dyqanet janë mbyllur për këtë arsye. Sondazhet e fundit kanë treguar se Ismail Haniyeh ishte shumë më popullor se presidenti i vjetër palestinez Mahmud Abbas.
Koha e vrasjes së Haniyeh mund të sugjerojë se kjo është pjesë më e gjerë e hakmarrjes së paralajmëruar nga Izraeli pas sulmit me raketa nga Hezbollahu që vrau 12 fëmijë. Izraeli ka paralajmëruar se përgjigja do të jetë e fortë.
Ndërkohë zyrtarët izraelitë thonë se Irani është drejtuesi i të ashtuquajturës “harku i rezistencës” në Lindjen e Mesme që përfshin Hezbollahun në Liban, Hamasin në Gaza e Bregun Perëndimor dhe Houthi në Jemen. Vrasja e liderit të Hamasit mesa duket dërgon një mesazh për grupet militante dhe mbështetësit e tyre iranianë: Izraeli mund dhe do të vijë pas jush, kudo që të jeni./tvklan.al