Ka zgjatur vetëm 12 orë liria e Sokol Sinomatajt nga Vlora, i cili u lirua nga burgu të mërkurën. 46-vjeçari doli nga burgu i Fushë-Krujës aty ku vuante dënimin për vrasje pasi përfitoi nga amnistia penale. I njohur ndryshe si “Buzëderri”, Sinomataj u ndalua orët e para të mëngjesit të së enjtes nga policia e Vlorës, teksa ishte në prani të vëllait të tij. Arrestimi i tij u bë sapo hyri në qytetin bregdetar.

Rikthimi në ambientet e izolimit të Sinomatajt u bë pasi rezulton i dënuar nga Gjykata e Milanos në Itali me 12 vite, 5 muaj e 26 ditë heqje lirie. Drejtësia e shtetit fqinj e ka shpallur fajtor për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafik Ilegal të emigrantëve”.

46-vjeçari do të qëndrojë në ambientet e paraburgimit deri sa gjykata e Vlorës të shprehet nëse do pranojë kërkesën e Italisë për ekstradim, ose jo.

Vendimi i dënimit për Sinomatajn mësohet se ka mbërritur në Shqipëri gjatë kohëve të fundit.

Sokol Sinomataj është babai i 23-vjeçarit Gëzim Sinomataj, i cili u vra mbrëmjen e 7 janarit të këtij viti me snajper. Ai u qëllua për vdekje gjatë kohës që ndodhej duke pirë cigare në ballkonin e banesës së tij.

Sokol Sinomataj njihet si një ish-anëtar i bandës së Gaxhait, i dënuar për vrasjen e Elton Tatos në 2002 dhe plagosjen e një tjetër personi.

Klan News