Emisioni “Stop” ka udhëtuar drejt Delvinës për një histori të pazakontë të dy grave, që quhen Engjëllushe. Ato kanë qenë të martuara me të njëjtin burrë, Astrit Hamzaj.
Prej 20 vjetësh Astriti ka qenë i martuar me Engjëllushe Latifin, martesë nga e cila erdhën në jetë 3 fëmijë. Në vitin 1996, ata u divorcuan dhe pas ndarjes, Astriti mori një tjetër grua, që sërish quhej Engjëllushe, me të cilën është ende i martuar.
“Quhem Astrit Hamzaj. Unë jam martuar në moshën 21 vjeç, meqë nuk kisha njeri donte plaku dhe plaka të kishim një familje. Morëm një nga Gjirokastra, nga Lazarati. E quanin Engjëllushe. Kemi jetuar tek shtëpia e nënës time, lart. Unë një vjet, dy kisha që nisa zoglaturat në qendër të fshatit, në atë kohë u ndamë në vitin 1996”.
Problemi, që i ka lindur tani, është se Engjëllushja e parë i kërkon gjysmën e shtëpisë, në bazë të një vendimi divorci të kohës së divorcit. Aso kohe pasuria e çiftit ishte një shtëpi e pambaruar 1+1, një cjap, një kalë e dy divane të vjetër.
“Ndau një kalë, një cjap, ca divanë llastiku. Tre muaj pas ndarjes u martova dhe gjeta këtë gruan tjetër nga Përmeti. Engjëllushe. Të dy Engjëllushe. Edhe këtë të tretën po u ndava, prapë Engjëllushe do ta marr unë”, tha ai.
“Në ’96 më kishte vdekur burri dhe mora këtë burrin e dytë dhe kishim një shtëpi. Ishte zogël, e pandërtuar, e pambuluar. Unë kam 26 vjet që punoj në atë shtëpi dhe e kam ndërtuar vetë. Kam shitur tokën në Këlcyrë, tokën time që kisha, kam bërë sallonin. Kam bërë kuzhinën, tani vjen Përmbarimi, bashkë me policinë dhe më thotë të lirosh shtëpinë zonjës Engjëllushe Latifi, se është pasuria e tyre. Unë u thashë ta gjejnë vetë, bashkë me burrin”, tha Engjëllushja e dytë.
Astriti deklaroi, se është i gatshëm të paguajë vlerën sipas vendimit të vitit 1996, duke indeksuar shumën, por sipas tij, nuk ka kuptim t’i merret gjysma e shtëpisë e ndërtuar gjatë martesës së dytë.
“E refuzova një herë zyrën e Përmbarimit. I thashë që nuk e lëshoj shtëpinë. Të tretën erdhën brenda u detyrova të liroj shtëpinë. Kam dy muaj që kaloj nga dritarja, dhe jam 60 vjeçe”, tha Engjëllushja.
“S’kishte ardhur ndonjëherë të kërkonte këto gjëra dhe mua nuk më kishte vajtur mendja se ishin pak lekë më kupton. Po t’i kërkonte nuk ishte problem, ia jepja direkt. Kjo tani vjen në gjykatë kërkon urdhër mbrojtje karshi meje duke qenë ajo 25 vjet në një fshat me mua, del ditën, në fshat, takohemi… Nuk i kam kthyer njëherë kokën o burrë i dheut. Djali kërkon urdhër mbrojtje. Ai është 40 vjeç, më i madh nga mua. Si ka mundësi? E dhunoj dot djalin unë? Para disa ditësh më kërkoi shefi i policisë dhe më tha do vish se ke shkelur urdhrin e mbrojtjes. Po ku e shkela unë urdhrin e mbrojtjes. Ç’janë këto gjëra që bën ky shtet. Atje në një fshat, as nuk i kam thyer njëherë kokën, tani kërkon urdhër mbrojtje nga unë”, tha Hamzaj.
Avokati tha se përmbaruesi Erion Bejko ka shkelur ligjin.
“Unë me cilësinë e mbrojtësit të Astrit Hamzaj mund t’ju informoj në mënyrë të përmbledhur se Astriti ka qenë i martuar me shtetasen Engjëllueshe Hamzaj dhe në vitin 1996 kanë zgjidhur martesën mes tyre. Është zgjidhur me bashkëpunim. Edhe problemet pasurore janë zgjidhur me mirëkuptim mes tyre duke vendosur që të mbajnë ato pjesë të pasurisë së luajtshme dhe një shtëpi të filluar në zoglaturë, të pambaruar, të pambuluar, pa soletë në mënyrën si e ka ndarë gjykatën. Zoti Astrit me të zgjidhur martesën e parë ka marrë një grua të dytë, për fat të mirë me emrin Engjëllushe dhe e dyta. Dhe mbi gërmadhat e shtëpisë së parë kanë ndërtuar një shtëpi moderne. Pas 24 vitesh ish-bashkëshortja e tij drejtohet në gjykatë dhe thotë “dua të ekzekutoj vendimin e vitit 1994 për pjesëtimin e pasurisë. Në aktet ligjore rezulton që vlefta e banesës në atë gjendje që ishte, ishte 55 mijë lekë të reja, që do të thotë ka dhe ajo kontributin në atë shumë. Zoti Astrit thotë “po” që i takon në interesat e kohës, por ne na habit faktit që pse interesohet pas 26 vitesh që të ekzekutojë një vendim që nuk ekzekutohet. Kemi një vilë, që nuk është ngritur nga ajo, por nga gruaja e dytë. Është ekzekutuar vendimi në mënyrë të paligjshme nga përmbaruesi Erion Bejko”, tha avokati Kristo Milo.
“Stop” ka siguruar pamje nga procedura përmbarimore e përmbaruesit Erion Bejko, i cili ndau pasurinë që Hamzaj kishte vënë me gruan e dytë./tvklan.al