U martua, por nuk e dinte këtë fakt. Kjo është historia e një gruaje në Australi e thënë me një fjali të thjeshtë.

Ajo anuloi martesën e saj, pasi kuptoi se një ceremoni e rreme martesore në të cilën kishte marrë pjesë si pjesë e një rrengu, materialet e të cilës do të postoheshin më pas në rrjetet sociale, ishte në fakt e vërtetë. Gruaja, identiteti i të cilës nuk është bërë publik, thotë se partneri i saj ishte influencer në mediat sociale. Ai e bindi që të merrte pjesë në një ceremoni të rreme që do ta përdorte si rreng në llogarinë e tij në Instagram.

Por më vonë zbuloi se martesa ishte e vërtetë dhe se partneri e përdori për të fituar rezidencë të përhershme në Australi. Një gjyqtar në Melburn i dha të drejtë gruas dhe vendosi se ajo ishte mashtruar. Rasti i çuditshëm nis nga Shtatori i vitit 2023 kur gruaja takoi partnerin e saj nëpërmjet një platforme online për takime. Ata filluan të takoheshin rregullisht në Melburn, aty ku jetonin fillimisht. Në Dhjetor të atij viti, ai i propozoi asaj dhe ajo pranoi.

Dy ditë më vonë, gruaja mori pjesë në një ceremoni në Sidnej. Ai i kishte thënë se do të ishte një festë ku të gjithë do të visheshin me të bardha. Dhe ashtu bëri. Por kur mbërriti në vendin e ceremonisë u shokua dhe u inatos kur pa se gjithsej të ftuar ishin katër vetë, partneri, fotografi, një shok i fotografit dhe një i ftuar tjetër.

“Kur shkova nuk pashë asnjë njeri në të bardha. E pyeta se çfarë po ndodh. Më mori mënjanë dhe më tha se po bënte një martesë të rreme për mediat sociale, më saktësisht për Instagramin pasi donte të rriste postimet e tij sepse donte ta monetizonte faqen në Instagram”, tha ajo.

Ajo shtoi se e besoi justifikimin e tij pasi ai kishte mbi 17 mijë ndjekës në Instagram. Ajo po ashtu besonte se martesa mund të ishte civile vetëm nëse zhvillohej në gjykatë. Megjithatë vijoi të qëndronte e shqetësuar, por ishte një shoqe e cila i tha se kjo gjë nuk kishte problem.

E kështu ajo vendosi ta zhvillonte ceremoninë, madje thotë se u kënaq. Por dy muaj më vonë, partneri i kërkoi që ta vendoste edhe emrin e tij në aplikimin e saj për rezidencë të përhershme në Australi, pasi të dy janë të huaj. Por ajo i tha se nuk mund ta bënte diçka të tillë sepse nuk janë të martuar. Aty, ai i zbuloi se në fakt dasma në Sidnej kishte qenë e vërtetë.

Aty mësoi edhe për certifikatën e martesës dhe kërkesën për martesë që ishte dorëzuar një muaj para udhëtimit të tyre në Sidnej. Kjo kishte ndodhur para se të fejoheshin, madje ajo nuk e kishte firmosur. Sipas dokumenteve në gjykatë firma nuk i ngjason aspak asaj të gruas së mashtruar.

“Jam e tërbuar për faktin se nuk e dija se ishte një martesë e vërtetë dhe se ai më kishte gënjyer prej fillimit sepse thjesht donte ta vendosja te aplikimi im”, tha ajo.

Ndërkohë burri ka thënë se të dy kishin rënë dakord për këto rrethana dhe se gruaja kishte pranuar të martohej me të në një ceremoni të vogël në Sidnej. Por gjyqtari vendosi se gruaja ishte mashtruar për natyrën e ceremonisë që po bënte dhe nuk kishte dhënë dakordësinë e saj të vërtetë për të marrë pjesë në martesë.

“Ajo besonte se po aktronte. Madje e quajti ngjarjen një rreng”, tha gjyqtari. Për këtë arsye ai e anuloi martesën, vendim që u mor në Tetor të vitit 2024./tvklan.al