Gazetari nga Amerika, Terry Anderson, i cili u mbajt peng për rreth 7 vjet gjatë Luftës Civile në Liban, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare.  Anderson ishte korrespondenti kryesor për Lindjen e Mesme për “Associated Press” ku u kap për t’u marrë peng në vitin 1985 gjatë asaj që u njoh si “kriza e pengjeve” në Liban.

Lajmin e vdekjes së gazetarit të njohur e bëri të ditur vajza e tij, e cila tha se i ati ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Greenwood Lake të New Yorkut. E bija, Sulome Anderson tha se i ati kishte gjetur paqe vitet e fundit pas sprovës që kishte përjetuar për 7 vite.

“Asnjëherë nuk i pëlqente të quhej hero, por të gjithë këmbëngulën ta quanin atë. Megjithëse jeta e babait tim u karakterizua nga vuajtje ekstreme gjatë kohës së tij si peng në robëri, ai gjeti paqe vitet e fundit. Unë e di se ai kishte dëshirë të mbahej mend jo nga përvoja e tij më e keqe, por përmes punës së tij humanitare me Fondin e Fëmijëve të Vietnamit, Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, veteranët e pastrehë dhe shumë kauza të tjera të pabesueshme”, tha vajza e tij.

Anderson u rrëmbye në Bejrut më 16 Mars 1985. Ai sapo kishte mbaruar së luajturi tenis kur persona të armatosur e tërhoqën zvarrë në një makinë dhe u larguan me shpejtësi. Shumica e më shumë se 100 të mbajturve peng midis viteve 1982 dhe 1992 ishin nga SHBA dhe Evropa Perëndimore. Anderson u lirua përfundimisht në 1991 pasi Lufta Civile përfundoi.

Ai u takua me vajzën e tij, e cila lindi menjëherë pas rrëmbimit të tij, për herë të parë kur ajo ishte gjashtë vjeç. Pas lirimit të tij, Anderson dha mësim për gazetari në kolegje të ndryshme amerikane, përfshirë Universitetin Columbia në Nju Jork, përpara se të dilte në pension në vitin 2015. Anderson shkroi autobiografinë e tij më të shitur “Den of Lions”, ku dha detaje që përshkruanin kohën kur ai ndodhej në robëri./tvklan.al