Ëndrra e një nate gushti me pengun e 27 viteve e ka sjellë Fluturën në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Siç tregoi gjatë rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, në atë ëndërr ajo ‘takoi’ djalin, Admirin që humbi jetën në aksident në moshën 22-vjeçare.

Ajo ëndërr i kujtoi Fluturës se duhej të përmbushte një amanet dhe të gjente një rrugë për të falenderuar Ilir Harxhin, i cili  asokohe ishte punëdhënësi i Admirit që e trajtonte si një shok. Goditjet e njëpasnjëshme e bënë të humbiste kontaktet për t’u ritakuar në studio. Për Fluturën është shlyerja e një pengu, ndërsa për Ilirin kthimi i ‘kripës’, i të mirave që është përpjekur të bëjë në jetë.

Flutura: Ilir, të falenderoj që erdhe dhe sot mua më ka prurë Adi të cilin ti e deshe si vëlla, si shok. Asnjë tjetër nuk ka bërë aq sa ke bërë ti për atë. Edhe kur ishte gjallë ti ia bëje qejfin. Të më falësh, kam ardhur të të kërkoj një falje se u shkëputëm prej atëherë, nuk patëm mundësi komunikimi se…e thashë edhe pak më parë, burri m’u sëmur pasi iku djali, shëtitëim shumë nëpër spitale, hallet tona, problemet, ne duhet t’i kishim mbajtur kontaktet me ty dhe nga fundi i gushtit e pashë në ëndërr ku më tha “po punoj për Ilirin, ti s’e ke parë Ilirin”, më tha mua. Ti ke bërë në atë kohë diçka që nuk e bën njeri. Ti i dije kushtet tona ekonomike, punonte vetëm Adi tek ti dhe qanit hallet njëri me tjetrin. Por edhe ti në atë kohë nuk ishe i pasur. Unë në atë kohë nuk isha… dhimbja ishte e madhe, nuk e dija çfarë bëhej fare, ti kishe amrrë përsipër gjithë shpenzimet e funeralit, gjithë shpenzimet e drekës së djalit dhe të kërkoj shumë falje që kemi mbajtur distancë prej teje se ti do të jesh vëllai im sikur ishe vëllai i djalit tim dhe e ke dashur djalin tim, nuk e kishe si punëtor e ti përgjegjës i tyre, por ti e konsideroje si shok, si vëlla dhe të jam shumë borxhlie. Të kërkoj ndjesë përpara gjithë botës.

Ardit Gjebrea: Ky është pengu i Fluturës  që përgjatë gjithë këtyre viteve nuk të falenderoi dot siç duhet ose të të thoshte sa kushton që të të kthejmë paratë dhe këtë e ka shprehur edhe me gazetarët e rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty”. “Të paktën edhe pas ëndrrës, të paktën ta falenderoj publikisht që të çoj në vend një merak, një amanet”.

Ilir: Unë jam shumë i prekur. Në njëfarë mënyre ne marrim edhe edukatën e familjes dhe ata që më njohin e dinë që unë e kam edhe të fituar, por edhe të trashëguar atë që më kanë dhënë prindërit. Kemi dhënë dhe kemi falur dashuri saqë ndonjëherë them, si është ajo shprehja, të mirën hidhe në det sepse kripa do të të vijë në gjellë dhe ndonjëherë bëj humor me veten, them ore kam hedhur aq shumë të mira  në det dhe s’po më vjen gjëkundi, megjithëse mosha bën të vetën, tashmë jam tri herë gjysh kur i thonë, por ja ky moment është ajo kripa që ka nevojë njeriu t’i kthehet mbrapsht./tvklan.al