Rrugët hyrëse të Bejrutit u bllokuan në orët e para të kësaj të Mërkure nga radhët e gjata të automjeteve, pasi në fuqi hyri armëpushimi i përhershëm mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Banorët që braktisën banesat e tyre në kryeqytetin e Libanit gjatë këtyre dy muajve bombardime të ashpra izraelite nisën të kthehen pas orës 4 të mëngjesit me orën lokale, kur në fuqi hyri armëpushimi.
Të rikthyerit u përlotën pasi u takuan pas disa javësh me të afërmit e tyre, ndërsa dhjetëra mbështetës të Hezbollahut festuan rrugëve sikur grupimi i tyre i zemrës pro-iranian të kishte fituar. Nga bombardimet 2-mujore izraelite Hezbollahut iu vranë të gjithë krerët dhe iu dobësuan të gjitha strukturat anekënd Libanit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se fushata ushtarake izraelite e kishte rikthyer Hezbollahun me dekada të tëra pas, ndërsa tha se Izraeli do të bëjë çmos që armëpushimi të qëndrojë në fuqi. Lehtësim edhe për banorët e Izraelit, të cilëve nuk u fluturojnë më mbi kokë raketat e Hezbollahut si gjatë këtyre ditëve.
Marrëveshja e shpallur nga presidenti amerikan Xho Bajden, parashikon që ushtria libaneze do të dërgojë në jug të vendit 5 mijë trupa.
Tv Klan