Armëpushimi në Liban u lëkund të dielën pasi forcat izraelite në kundërshtim me zotimet nuk u tërhoqën nga jugu i vendit. Banorët e shpërngulur u përpoqën të kthehen në shtëpi pas skadimit të afatit të tërheqjes së trupave pushtuese, por u qëlluan e për pasojë mbetën të vrarë 22 vetë.

Izraeli njoftoi të premten se do t’i mbajë trupat në jug përtej afatit të përcaktuar në armëpushimin e ndërmjetësuar nga ShBA-ja që ndaloi luftën e vitit të kaluar me Hezbollahun. Sipas autoriteteve izraelite Libani nuk ka zbatuar ende plotësisht kushtet për çarmatosjen e Jugut dhe dislokimin e ushtrisë libaneze në kufi.

Ushtria e Libanit e mbështetur nga SHBA-ja, akuzoi Izraelin për zvarritje të tërheqjes.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se 22 vetë u vranë dhe 124 të tjerë u plagosën në disa pozicione në jug, si rezultat i atyre që i përshkroi si sulme izraelite ndaj civilëve që përpiqeshin të hynin në qytetet ende të pushtuara.

Ushtria izraelite tha se trupat që po operojnë në Libanin Jugor qëlluan me të shtëna paralajmëruese. Më pas një zëdhënës duke iu drejtuar popullit libanez, akuzoi Hezbollahun se po përpiqet të “nxehë situatën”.

Por deputeti i Hezbollahut, Ali Fayad tha se “njerëzit këmbëngulën të kthehen” në fshatrat e tyre pavarësisht thirrjeve të ushtrisë izraelite për të mos u afruar. “Është thjesht një nismë popullore që nuk është organizuar nga Hezbollahu apo ndonjë parti tjetër politike”, tha Fayad.

Më herët, gjatë vizitës së tij zyrtare në Bejrut, presidenti francez Emmanuel Macron i bëri thirrje Izraelit që të përshpejtojë tërheqjen e trupave nga Libani Jugor.

Klan News