Pasi pësoi humbjen e parë në karrierën e tij si profesionist, Florian Marku ka reaguar për herë të parë. Në një postim në rrjetet sociale, Marku shkruan se kishte shumë vite pa e përjetuar humbjen në karrierën e tij teksa shton se dje nuk ishte nata e tij.

Boksieri shqiptar e konsideron mposhtjen nga britaniku Chris Kongo si si diçka që ashtu ishte shkruar të ndodhte dhe për këtë thotë se nuk i pëlqejnë justifikimet. Teksa falenderon të gjithë ata që e kanë ndjekur nga stadiumi dhe nga ekrani, Marku premton se do të rikthehet më i fortë se kurrë.

“Faleminderit Zotit për gjithçka, si në fitore, por edhe në humbje. Kam shumë vite pa përjetuar diçka të tillë në karrierën time. E kisha harruar këtë ndjenjë, por dje nuk ishte nata ime, kështu ishte e shkruar, s’më pëlqejnë justifikimet. Dua t’ju falenderoj nga zemra të gjithë atyre që ishin dje në stadium dhe të gjithë ju që më keni ndjekur nga ekrani! Do rikthehem më i fortë se kurrë”, shkruan Marku në “Instagram”.


Boksieri shqiptar u mund nga britaniku Chris Kongo në duelin e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Londër. Një sfidë e luftuar kjo, e transmetuar direkt në Klan Plus. Strategjia e Chris Kongo ishte më e saktë, pasi i solli edhe fitoren me pikë me vendim unanim pas 10 raundeve duke marrë edhe titullin Interkontinental të Federatës IBO. Ky ishte dueli i 15-të në ringun profesionist për Florian Markun që deri tani kishte vetëm 13 fitore dhe një barazim.


/tvklan.al