Grumbullimi i Kosovës për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, nuk shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme. “Dardanët” u përfshinë nga një episod i pakëndshëm, që solli edhe përjashtimin e tre lojtarëve nga grumbullimi.

Bëhet fjalë për Edon Zhegrovën, Aron Muric dhe Florent Muslijën. Ky i fundit, në një reagim të bërë së fundmi, zbulon arsyen e largimit sipas tij, ndërsa thotë se nuk ishte në lokal nate sicc pretendohet.

“Të dashur miq. Aktualisht ka shumë lajme rreth meje dhe një incidenti të ndodhur në Kombëtare. Disa pretendime janë të vërteta e disa të tjera jo. Para së gjithash kam bërë një gabim, për të cilin natyrisht marr përgjegjësinë.

2 ditë para ndeshjes në Ligën e Kombeve kundër Qipros kam lënë hotelin e ekipit pa leje. Megjithatë nuk kam dalë për të festuar deri vonë në një klub, por për të shkuar për darkë. Thjesht kam dalë pak jashtë.

Pa dyshim, kjo nuk ishte ideja më e mirë dhe e zgjuar e jetës sime, sepse sporti i skuadrës funksionon vetëm kur të gjithë ndjekin rregullat e përbashkëta. Unë kam kërkuar falje tek trajneri dhe sigurisht tek bashkëlojtarët e mi.

Diçka e tillë nuk duhej të ndodhë dhe kush më njeh e di që diçka e tillë nuk do të ndodhë më. I juaji Florent Muslija!”, shkruan mbrojtësi.

Përjashtimi i lojtarëve erdhi pas humbjes me Rumaninë me rezultatin 3-0. /tvklan.al