Mjeku Besnik Kroi tregon për “Stop” në Tv Klan se ka 10 vjet që ushtron profesionin e psikiatrit, që prej vitit 2014, kur ka bërë një kualifikim për nevoja të spitalit dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Kualifikimi u krye pranë QSUT-së dhe zgjati një vit. Besniku ka punuar 23 vjet si mjek i përgjithshëm dhe 10 vjet si psikiatër. Gjatë kësaj kohe është licencuar dy herë.
Por sot nuk mund të kualifikohet pasi i thonë se nuk i njihen këto kualifikime. Procedura e kualifikimit nisi nga ministri i kohës Vangjel Tavo, pas kërkesës së spitalit të Sarandës për specialist. Po pse nuk licencohen plot 300 mjekë, që kanë të njëjtin fat si Besnik Kroi?
“Stop” bisedon me juristen e Urdhrit të Mjekut, e cila shprehet se është bërë abuzimi në atë kohë dhe sot po rregullohet.
Juristja: Po, urdhëro! Doktor, si kalove ti?
Mjeku Besnik Kroi: Mirë. Unë erdha në zyrë, por nuk ju gjeta, asnjërin.
Juristja: Nuk jemi. Jemi në një konferencë dhe nuk jemi deri të hënën.
Mjeku Besnik Kroi: Mua do të më thuash, çfarë u bë me atë kualifikimin tim, do të bëhet licenca apo jo?
Juristja: Për mua është shumë e vështirë, personalisht.
Mjeku Besnik Kroi: Ka ndonjë pengesë ligjore?
Juristja: Po ligjore ka, se realisht nuk të takonte, që në atë moment, që të është dhënë specialiteti.
Mjeku Besnik Kroi: Po me ça ligji është ajo?
Juristja: Po s’është me ligj. E para njëherë, është me atashim. Kur ju është dhënë juve, duhet t’ju ishte dhënë licencë me atashim, jo licencë e verdhë. Që në momentin e parë, është bërë gabimi në ato vite. Si grupi juaj, që ka mbaruar me atashim në 2013-ën dhe asnje deri më sot nuk e ka marrë me licencë të verdhë atë lloj kualifikimi.
Mjeku Besnik Kroi: Unë nuk e di se gabimin nuk e kam bërë unë për atë licencë.
Juristja: Po mirë, gabimi bëhet dhe korrigjohet.
Mjeku Besnik Kroi: Unë kam 10 vjet që e kam marrë atë licencë.
Juristja: Doktor, kjo puna është tani, që jemi në një rast që jo vetëm ju, po 200 e ca veta, që kërkojnë licencim.
Mjeku Besnik Kroi: Kjo është në 300 vetë në të gjithë Shqipërinë?
Juristja: Në të gjithë Shqipërinë. Është pak e vështirë. Nga ana ligjore, unë personalisht e kam shumë të vështirë, ashtu siç thua ti.
Nora Malaj, zv.ministre arsimi në vitin 2014, shpjegon se këta mjekë duhet të licencohen pasi për 10 vjet kanë ushtruar profesionin e tyre, sipas rregullave të kohës. Me kalimin e kohës, sipas saj, duhet që të kërkohet përshtatje pasi ata i kanë shërbyer vendit duke u kualifikuar e duke iu gjendur pacientëve./tvklan.al