Mirënjohja është një prej vlerave që tregohet me fjalë të thjeshta apo gjeste të vogla për të nisur një rreth mirësie e bujarie që shkon përtej shprehjes “faleminderit”. Jeta e përditshme bazohet në marrëdhëniet njerëzore ku vlera si mirënjohja janë themel për të qenë më vigjilentë, më të ndjeshëm dhe më të pranishëm.

Por ndërsa ndalemi te jeta e përditshme, shohim një mbizotërim të ndjenjave negative dhe të të shprehurit të ashpër, një shkëputje nga vetja që më pas reflektohet në shkallë të gjerë me pyetjen: “Si erdhëm në këtë pikë?”

Katerina Trungu, moderatorja e emisionit “Shije Shtëpie” në Tv Klan ndau një prej shembujve më të shpeshtë të humbjes së mirënjohjes, mirësisë dhe trajtimit të të tjerëve me respekt. E përlotur, ajo u përqendrua te një prej grupmoshave delikate të shoqërisë dhe trajtimin e tyre nga të rinjtë.

Katerina Trungu: E di ç’më bën përshtypje një gjë dhe që s’më pëlqen realisht fare dhe do të doja që me aq zë sa kam, ta shfrytëzoj këtë hapësirë… djemtë e rinj në trafik, kanë një mungesë të theksuar edukate ndaj burrave në moshë që është e turpshme.

Merita Rexha Tërshana: Ka gjë më të shëmtuar?

Katerina Trungu: Më ka ndodhur jo një herë, por kushedi sa herë që burra të moshuar ose kanë qenë në  timon në makina ose motorr, varet dhe këta që iu kthehen me një gjuhë të shëmtuar, të neveritshme, që iu bërtasin, iu ulërasin sikur ai të jetë..  edhe fëmijë të jetë, nuk mund të flasësh në atë formë, jo më të jetë babai yt në moshë. Më ka ndodhur kushedi sa herë dhe tani që e them, pikëllohem si mund t’i flasësh një njeriu të moshuar në atë formë? Mua kjo më vërteton që ne kemi në thelb, mungesë shumë të theksuar edukate dhe respekti./tvklan.al