Udhëheqësi i aleancës rebele që rrëzoi presidentin Bashar al-Assad të Sirisë është zotuar të ndjekë dhe ndëshkojë ata që mbanin poste të larta në qeverinë e tij, pasi vazhdon pasiguria se kush do të qeverisë tani një vend të shkatërruar nga më shumë se një dekadë lufte civile.

Abu Mohammed al-Jolani ka bërë të ditur se do të ofrohen shpërblime për informacione rreth oficerëve të lartë të ushtrisë dhe sigurisë të përfshirë në “krime lufte”. Nga ana tjetër rebelët kanë shpallur një amnisti të përgjithshme për rekrutët ushtarakë sirianë, por kjo nuk vlen për vullnetarët.

Mes të tjerash al-Joulani është takuar me kryeministrin Mohammad Ghazi al-Jalali një takim që përfundoi me sukses pasi të dy arritën të negociojnë një transferim paqësor të pushtetit nga qeveria e Asadit në qeverinë e re të përkohshme të kontrolluar nga rebelët.

Është e paqartë se si do të ndërtohet një sistem i ri qeverisës në Siri, si do të funksionojë duke pasur parasysh grupet dhe interesat e ndryshme të përfshira, dhe nëse riorganizimi i pushtetit do të çojë vetëm në paqëndrueshmëri të mëtejshme. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin si dhe Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëruan se ISIS mund të përpiqet të përfitojë nga ky vakum pushteti në vend.

Ndërkaq jeta e sirianëve vijon e qetë në Damask. Minibusët u panë duke mbërritur në Bankën Qendrore të Sirisë në Damask me punonjësit që zbrisnin dhe hynin në ndërtesë për ditën e tyre të parë të punës që nga rënia e Asadit. Kthimi i punonjësve vjen vetëm dy ditë pasi rebelët përmbysën diktatorin e gjatë Bashar al-Assad, duke e hedhur në pasiguri të ardhmen e vendit.

Britania e Madhe si edhe vendet e tjera europiane kanë ndërprerë vendimet e azilit për rastet nga Siria. Vendimet për të rishikuar politikat e azilit vijnë pasi partitë e së djathtës ekstreme kundër emigrantëve janë rritur në të gjithë Bashkimin Evropian muajt e fundit.

Organizatat për të drejtat e refugjatëve kanë paralajmëruar se vendimi për të ndaluar aplikimet për azil vjen shumë shpejt, duke vënë në dukje vazhdimin e luftimeve në pjesë të Sirisë dhe çështjet rreth destabilitetit politik. Më shumë se 4.5 milionë sirianë kanë ardhur për në Evropë që nga shtypja e protestave dhe disidencës nga Assadi në vitin 2011.

Klan News