Rusia i druhet zgjerimit të sulmit ukrainas në brendësi të territorit të saj, që ka hyrë në ditën e 7-të. Ndaj dhe autoritetet ruse kanë zgjeruar hartën e evakuimit të banorëve, pas Kurskut, edhe në Belgorod. Me këtë sulm që e ka zënë në befasi mbrojtjen ruse, ukrainasit kanë përparuar deri më tani 30 kilometra në brendësi të territorit rus në rajonin e Kurskut.
E teksa Moska thotë se po i lufton dhe po zmbraps shumë tentativa të tyre për të përparuar, vetë trupat ukrainase kanë publikuar këto filmime ku tregojnë zëvendësimin e flamujve rus me ata të vendit të tyre në ndërtesat e administratave lokale të fshatrave ku kanë marrë kontrollin. Rusët po përpiqen të shmangin marrjen nën kontroll nga ukrainasit të centralit bërthamor të Kurskut, që mund të shihet si një kundërpeshë për atë të Zaporizhias, që rusët u morën ukrainasve kur nisën luftën para dy vitesh e gjysmë në Ukrainë.
Luftimet u rikthyen edhe këtë të hënë në centralin e Zaporizhias. Rusët thanë se ukrainasit sulmuan trupat ruse që kanë nën kontroll centralin.Palët fajësojnë njëra-tjetrën për shpërthimin e një zjarri të madh, tymi i të cilit dallohet që del në njërin nga oxhakët e mëdhenj, por që u shua gjatë ditës dhe që u shkaktua nga vënia e flakës ndaj një grumbulli gomash të makinave, ndoshta për t’i kujtuar botës rrezikun se lufta në Ukrainë mund të shkaktojë një krizë bërthamore është shumë i lartë.
Tv Klan