Në qytetin e shkatërruar të Ukrainës lindore, Toretsk, koha po ikën për këdo që dëshiron të largohet.

Forcat ruse po përparojnë ngadalë, por me siguri, duke goditur qytetin natë e ditë me raketa, zjarr artilerie dhe sulme ajrore, pjesë e një përparimi të gjerë në rajonin e Donetskut që Ukraina nuk ka qenë në gjendje ta ndalojë.

Grumbuj rrënojash shtrihen aty ku dikur ishin ndërtesat, blloqet e apartamenteve të djegura janë bërë të pabanueshme, një kullë kishe është rrëzuar dhe shtëllunga tymi ngrihen në distancën e afërt nga predhat që vijnë.

Në një oborr banimi, një grup banorësh kryesisht të moshuar mblidhen për të dëgjuar Ivanin, një oficer policie me veshje kamuflazhi, i cili po përpiqet t’i bindë ata të largohen nga Toretsk me ekipin e tij të evakuimit.

Qindra oficerë si ai dhe vullnetarë ukrainas po përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë në qytete dhe fshatra përgjatë vijës së frontit përpara se të shndërrohen në gërmadha dhe të futen në territorin e mbajtur nga rusët.

A po qëndroni të gjithë?” pyeti ai duke folur me vendosmëri dhe shpejt. “A nuk mund të shihni se si po ndryshon situata? Nëse mendoni se do të ktheheni kjo nuk do të ndodhë.”

Oferta e tij është pranuar nga disa dhe është refuzuar nga të tjerë. Shumë njerëz që mbeten nuk duan të largohen për një jetë të pasigurt në pjesë më të sigurta të Ukrainës. Të tjerë refuzojnë të ndahen nga të afërmit dhe miqtë e moshuar.

“Të gjithë janë larguar, kanë lënë kafshët shtëpiake. Kam mbetur vetëm unë, të gjithë të tjerët janë varrosur. Aeroplanët po fluturojnë çdo natë dhe po sulmojnë, veçanërisht ditët e fundit.”

Një grua pranë saj bërtiti: Zoti na ka dhënë tokën dhe qiellin, dhe rusët e shkelën të gjithë, e mbuluan me gjak. Gjithçka është e mbuluar me gjak.

Rreth 5,000 njerëz mbeten në Toretsk, sipas Tetyana Nikonova, një përfaqësuese e administratës ushtarake lokale, ndërsa banorët që duan të evakuohen mblidhen rreth furgonëve me disa sende personale. Rreth një dekadë më parë popullësia në këtë qytet ka qenë rreth 35,000.

“Ka rreth 5,000 njerëz të mbetur në Toretsk. Shumë njerëz refuzojnë të largohen, ne flasim me ta, ata djemtë përpiqen t’i bindin por ata nuk duan të shkojnë. Ne u ofrojmë gjithçka mundemi, akomodim, transport, të gjitha falas, por njerëzit fshihen në bodrume. Djemtë tanë, përfaqësuesit e administratës ushtarake kanë  kërkuar për t’i bindur njerëzit të largohen.”

Valentyna Natyazhko u largua nga Toretsk më herët, por është kthyer për pak kohë për të marrë disa prej sendeve nga banesa e saj sepse i duhet në shtëpinë e saj të re në qytetin e afërt të Kostyantinivka.

“I gjithë ushqimi u prish atje, më duhej të hidhja salsiçe, majonezë, gjalpë. Erdha të marr këtë frigorifer, atje ku jetoj nuk ka. Frigoriferët janë të shtrenjtë, ku do të marr para për të blerë një?”

Sergiy dhe Iryna, një çift i ulur së bashku në një stol jashtë banesës së tyre, diskutojnë nëse do të largohen apo jo. Oficerët e policisë u thanë atyre të ishin në të njëjtin vend mëngjesin tjetër për t’i marrë nëse vendosnin të shkonin.

“Unë shqetësohem se nuk do të mund të kthehemi, askush nuk do të na lejojë të kthehemi këtu.”

“Por ne do të largohemi, Sergiy Jurijeviç, apo jo?”

Rreth 25 kilometra në jug të Chasiv Yar, ish-qyteti minerar Toretsk është përballur relativisht pak me luftime në krahasim me vendbanimet e tjera të Donetsk pranë vijës së frontit. Megjithatë, muajin e kaluar, forcat ruse filluan të bëjnë përparime të prekshme drejt qytetit, duke pretenduar fshatin Shumy, rreth 10 kilometra në lindje.

Njësitë ruse goditën gjithashtu linjat ukrainase në jug të Toretsk muajin e kaluar. Është e paqartë saktësisht pse forcat ruse ishin në gjendje të ecnin përpara kaq shpejt. Ekspertët janë shprehur se për rusët, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ta kapin këtë vendndodhje.

Evakuime të tilla në mesin e banorëve janë bërë edhe në Kharkiv, kryesisht në Vovchansk. Më shumë se 4,000 njerëz janë larguar nga zonat përreth rajonit verilindor të Kharkiv të Ukrainës.

Duke përdorur artileri dhe bomba, forcat ruse kanë goditur qytetet dhe fshatrat në zonë. Numri i njerëzve të vdekur nga luftimet vazhdon të rritet. Viktimat totale të vdekur dhe të plagosur tani i kalojnë 500,000, sipas vlerësimeve perëndimore, por ka të ngjarë shumë më të larta.

Më shumë se dy vjet pas nisjes së saj, Rusia ka fituar avantazhin në fushën e betejës, duke hapur një front të ri pasi Ukraina përballet me mungesë të personelit, së bashku me rezervat e predhave të artilerisë dhe mbrojtjes ajrore. Shtetet e Bashkuara njoftuan një paketë të re ndihme ushtarake prej 400 milionë dollarësh me armë dhe pajisje për Ukrainën, një pjesë e të cilave kanë mbërritur në front, por ende duhen shumë më shumë për të penguar ofensivën ruse.

Kjo është paketa e tretë e ndihmës ushtarake emergjente për Ukrainën që kur Kongresi miratoi një projekt-ligj ndihme prej 60.8 miliardë dollarë. Shqetësimi më i madh i Ukrainës do të ishte rrjeti i saj elektrik, i cili është goditur nga raketat dhe dronët rusë për muaj të tërë. Edhe pse mbrojtja ajrore e Ukrainës është përmirësuar, inxhinierët ukrainas kanë luftuar për të zëvendësuar kapacitetin gjenerues dhe për të riparuar linjat e dëmtuara, transformatorët, nënstacionet dhe infrastrukturën tjetër të energjisë.

Klan News