Vendimi i Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit në nivelin 3% nga 3.25% që qëndroi prej Nëntorit 2023, shihet nga ekspertët si pozitive duke qënë se pjesa dërrmuese e qytetarëve i kanë të ardhurat në Lekë.
Pedagogia Eriola Hoxha thotë forcimi i Lekut dhe konsumi në rritje i qytetarëve do të bëjë që sektori bankar tashmë të preferohet nga individët për të financuar shpenzimet në monedhën vendase.
“Kjo për shumë arsye që lidhet gjithashtu edhe me vlerën e lartë monetare tashmë që po marrin me pagat, që do të thotë se kanë aftësi dhe likuiditet për të përballuar këstet e tyre të kredive, qoftë për kredi konsumatore, apo edhe kredi hipotekore.”
Kjo vendimmarrje e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë vjen në një kohë kur inflacioni duket se po zbehet e qeveria vendosi të rrisë pagat që prej 1 Korrikut.
“Gjithashtu edhe tregjet financiare nuk kanë qenë të luhatura, por kanë qenë të qeta që do të ndikojë në bërjen e një politike monetare më afatgjatë dhe më të qëndrueshme dhe për 3 mujorët e radhës.”
Vendimi i Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit vjen 1 muaj pasi Banka Qendrore Europiane vendosi të zbusë politikën monetare, për herë të parë pas 5 vitesh.
Tv Klan