Autoritetet nuk reagojnë, projektet mbeten nëpër zyra
Banorët e Shkopetit në Kurbin i dhanë këtë të martë lamtumirën e fundit 86-vjeçares Dave Gjeci, e cila mesditën e së hënës gjeti vdekjen pasi ra aksidentalisht në ujë, ndërkohë që po kalonte mbi këtë urë që lidh fshatin me rrugën kombëtare.
Ura mbi lumin Shkopet ka një gjatësi rreth 100 metra dhe është e ndërtuar me kavo dhe dërrasa.
Vite më parë ura u shemb nga shkarkimet e HEC-it. Banoret ndërhynë dhe e riparuan vetë. Por ajo nuk ofron kushtet minimale të sigurisë.
Dëmtimi i dërrasave dhe mungesa e barrierave anësore e bëjnë kalimin e saj një sfidë më vete për të gjithë banorët e dy lagjeve që lidh kjo urë.
Bashkia e Kurbinit thotë se ka hartuar një projekt prej disa vitesh. Por teksa dosja ka mbetur në sirtarët e zyrave, autoritetet nuk kanë bërë asgjë për të garantuar sigurinë e urës apo për ta mbyllur atë për shkak të rrezikshmërisë.
Kjo nuk është ura e vetme në këtë gjendje në këtë zonë. Vetëm 3 kilometra më poshtë, ura e fshatit Skuraj është po kaq e rrezikshme për banorët që e përdorin.
Tv Klan