Urimeve për festën e Fitër Bajramit i janë bashkuar edhe politikanët shqiptarë. I pari i cili uroi besimtarët myslimanë ishte kryetari i opozitës Lulzim Basha.
Pas një vizite në xhaminë e Parrucës në Shkodër, ai tha: Nga zemra i uroj gjithë besimtarëve myslimanë, gjithë vëllezërve dhe motrave, gëzuar ditën e Fitër Bajramit, festën e madhe të shpresës e të besimit. në veçanti uroj agjëruesit që kanë mbyllur një muaj sakrifice dhe sprovash. Zoti ua pranoftë adhurimin dhe agjërimin, lutjet, i begatoftë ata, familjet e tyre dhe shqiptarët kudo që janë. Zoti e bekoftë Shqipërinë.
Pak më vonë ishte kreu i shtetit, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale tha se harmonia ndërfetare është një vlerë e mrekullueshme kombëtare, diçka që duhet ta ruajmë gjithmonë.
“Harmonia e mrekullueshme ndërfetare është një vlerë e jashtëzakonshme kombëtare, aset i çmuar i historisë, traditës dhe shoqërisë tonë që duhet ta ruajmë gjithmonë fort si sytë e ballit dhe duhet të na udhëheqë për më shumë zhvillim, begati e paqe sociale”, shkruante Meta, ndërkohë që postimin e tij e shoqëronte me fjalën e Kardinalit Ernest Simoni Troshani.
Në fund ishte radhe e kryeministrit Edi Rama, i cili gjithashtu nga Facebook-u uroi besimtarët myslimane.
“Zoti i dëgjoftë lutjet tuaja e i dhëntë dritë e forcë çdo familjeje që sot feston dhe vetë Shqipërisë së lutjes së sinqertë, punës së palodhur, dashurisë e paqes mes shqiptarëve. Bekuar qoftë Shqipëria, bekuar qofshin shqiptarët”, shkruante ai./tvklan.al