Forcat izraelite kanë vijuar sërish sulmet në të gjithë Rripin e Gazës, duke vrarë dhjetra palestinezë. Trupat vazhdojnë të thellojnë operacionet në qytetin jugor të Khan Younis dhe në periferi të Deir al-Balah në rajonin qendror.
Avionët luftarakë sulmuan objektivat në Khan Younis nga të cilat raketat kaluan drejt komunitetit Nirim në jug të Izraelit. Nga ana tjetër Izraeli vrau dy militantë të lartë të Hamasit në një sulm ajror në Jenin në Bregun e pushtuar Perëndimor duke pretenduar se ata ishin të përfshirë në vrasjen e një izraeliti.
Dhuna në Bregun Perëndimor është përshkallëzuar që kur shpërtheu lufta në Gaza midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas në tetor, me më shumë sulme izraelite, dhunë ndaj kolonëve hebrenj dhe sulme në rrugë.
Nga ana tjetër zyrtari i Hamasit, Osama Hamdan ka deklaruar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbetet pengesa kryesore për një armëpushim dhe marrëveshje për shkëmbimin e robërve, pasi negociatorët izraelitë shprehën optimizëm pas dy ditësh bisedime armëpushimi në Katar.
Ndërmjetësuesit thanë se dy ditët e fundit të diskutimeve të armëpushimit kishin qenë “serioze, konstruktive dhe të zhvilluara në një atmosferë pozitive”. Ekipet pritet të vazhdojnë punën gjatë ditëve në vijim mbi detajet se si të zbatohen kushtet e propozuara përpara se zyrtarët e lartë të qeverisë të takohen sërish në Kajro, me shpresën për të arritur një marrëveshje mbi kushtet e përcaktuara në Doha.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken mbërriti në Izrael të dielën, si pjesë e intensifikimit diplomatik të Uashingtonit për të arritur një armëpushim në Gaza që do t’i japë fund luftës 10-mujore midis Izraelit dhe Hamasit. Udhëtimi i dhjetë i diplomatit të lartë amerikan në rajon vjen disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara parashtruan propozime që edhe ndërmjetësit Katari dhe Egjipti besojnë se do të mbyllnin boshllëqet midis palëve ndërluftuese.
Në Izrael, Blinken pritet të takohet me kryeministrin izraelit dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Ata do të diskutojnë çështjet në lidhje me marrëveshjen, duke përfshirë listën e emrave të robërve izraelitë që mbahen në Gaza, listën e emrave të të burgosurve palestinezë. Por sfida e tij më e madhe do të jetë padyshim të bindë nivelet e larta të qeverisë izraelite, dhe Netanyahu në veçanti.
Klan News