Myrto Uzuni është zyrtarisht lojtar i Austin në MLS. Klubi amerikan kishte arritur prej ditësh akordin për sulmuesin e Shqipërisë, ndërsa tani ka ardhur edhe zyrtarizimi.
Në fjalët e para për faqen e klubit, Uzuni u shfaq shumë i lumtur për këtë aventurë të re, duke thënë se synimi është thyerja e rekordeve.
“Një nga arsyet kryesore që u bashkova me Austin është ambicia që Anthony Precourt (presidenti) dhe Rodolfo Borrell (drejtori sportiv) kanë për këtë ekip, i cili përputhet me ambicien time për të pasur gjithmonë sukses me një mentalitet fitues. Mund t’u them tifozëve të Austin se do të bëj gjithçka në fuqinë time për të shënuar gola dhe për të ndihmuar ekipin të shtyjë drejt arritjes së objektivave tona. Unë po vij këtu për të thyer rekorde”, tha Uzuni.
Sulmuesi 29-vjeçar u largua nga Granada, pjesë e të cilëve ishte nga viti 2022. Uzuni ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2027 me Austin, me mundësi rinovimi për një tjetër sezon, ndërsa do të mbajë fanellën me numrin 10. /tvklan.al