Ndërkohë që shumë vende të botës si Britania e Madhe dhe Kina kanë nisur vaksinimin e popullsisë kundër gripit të derrave, mediat e huaja akuzojnë qeveritë se po e ndajnë mjekësinë në varësi të shtresave të popullsisë.
Akuza më e fortë vjen ndaj qeverisë gjermane. Një javë para nisjes së vaksinimit të 50 milionë vetëve Deutsche Welle thotë se ushtarët, policët, politikanët, deputetët dhe punonjësit e lartë të qeverisë dhe të ministrive do të vaksinohen me një lloj vaksine të quajtur Celvapan që nuk përmban elementë të dëmshëm dhe konservues.
Ndërsa për pjesën tjetër të popullsisë është parashikuar një vaksinë tjetër, Pandremix, që sipas ekspertëve do të kenë pasoja anësore të këqija sidomos tek nënat shtatzëna dhe fëmijët.
Qeveria gjermane ka porositur 50 milionë vaksina Pandremix ndërkohë vaksina Celvapan është porositur në sasi më të vogla vetëm për zyrtarët.
Zëdhënësi gjerman i Ministrisë së Shëndetësisë, Klaus Vater, e quajti këtë qëndrim të mediave si të papërgjegjshëm.
Sipas tij dimri pritet të sjellë me vete një valë të re të gripit të derrave dhe nuk mund të thuhet se kjo do të kalojë po aq lehtë sa ajo e verës. Ai iu shmang këtyre akuzave duke bërë thirrje për një lutje të përbashkët që kjo valë e re e gripit të kalojë pa pasoja./tvklan.al