Trajneri Robin Van Persie, ka pësuar një humbje turpëruese, në drejtimin e skuadrës së Heerenveen.

Ekipi i drejtuar nga ish-sulmuesi holandez, u mposht me shifrat e thella 9-1 në transfertë nga AZ Alkmaar.

Një disfatë e hidhur për Van Persie, që si futbollist ka lënë shenjë kudo ku ka luajtur, ndërsa si trajner po has vështirësi të mëdha.

Ai e mori drejtimin e Heerenveen në Holandë në verë, por starti i sezonit ka qenë zhgënjyes. Kjo është aventura e parë si trajner kryesor për ish-futbollistin, që në të kaluarën ka drejtuar vetëm të rinjtë e Feyenoord.

Në pesë ndeshjet e zhvilluara në drejtimin e Van Persie, Heerenveen, numëron vetëm një fitore dhe mban vendin e 12-të në Eredivisie.

Në rast se situata nuk rregullohet, 41-vjeçari rrezikon shkarkimin. Si futbollist, Van Persie, ka luajtur me ekipe të mëdha, si Arsenal, Manchester United, Fenerbahce dhe mbylli karrierën aty ku e nisi, te Feyenoord. /tvklan.al