Histori me zhurmues – Vaskë Orgocka ishte një nga viktimat e shumta të sistemit komunist që përfundoi në burgun e Spaçit. Ai ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço ku rrëfeu historinë e tij dhe kalvarin e vuajtjeve. Orgocka pasi kishte përfunduar studimet në Poloni ishte martuar me një vajzë polake dhe pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik ata shiheshin si të dyshuar nga shteti shqiptar.
“Unë kam qenë student në Poloni me miratimin e shtetit dhe në vitin 1954 u njoha me një vajzë që u bë gruaja ime. Unë atë e merrja edhe në festat që bënte ambasada shqiptare. Petro Papi, ambasadori më thotë: Ajo është vajzë e mirë, pse nuk martohesh me të? Politika është që të afrohemi sa më shumë.
U ndodha pak ngushtë dhe s’dija të përgjigjesha, por i thashë të shikojmë. Ai më tha bëje. Dhe vendosëm që të martohemi, ajo ishte në atë kohë 18 vjeç. Në ‘55 unë u ktheva nga Polonia dhe sa u bënë ato kërkesat në shtator të ’56 ajo erdhi në Shqipëri. Unë në atë kohë punoja në komitetin e Gjeologjisë me kryetar Panajot Plakun. Ai më transferoi në Mirditë, më çuan në Spaç ku kalova edhe vitet më të rënda të jetës time. Nga atje shkova në Përrenjas dhe më në fund u transferova në minierën e Drenovës. Ndërkohë lindën edhe dy fëmijët. Gruaja kishte mbaruar një kurs për laborante dhe punonte në Korçë tek fabrika e birrës dhe jetonim mirë në krahasim me të tjerët. Kur u prishën marrëdhëniet me demokracitë popullore gjithçka ndryshoi.
Filluan përndjekiet e grave të huaja që ishin martuar me shqiptarë. Në atë kohë unë kërkova që gruaja bashkë me fëmijët të iknin, por ajo nuk pranonte. Ajo nuk e kuptonte që për interesa politike shkatërroheshin jo vetëm familje, por edhe gjëra më të mëdha. Më pas erdhi momenti i arrestimit nën akuzën “agjitacion dhe propagandë”. Më mbajtën në birucat e Korçës të cilat ishin një varr prej betoni. Pranova akuzën “agjitacion dhe propagandë” duke thënë që nuk më erdhi mirë që u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik.
Pas disa kohësh më sollën këtu në Tiranë, hetues ishte Koço Josifi, atëherë filloi kalvari i vërtetë i vuajtjeve. Filloi dhuna fizike. Ferat Matoiti ishte autori i torturave që më bëheshin. Kur vinte ai më lidhnin në karrige që ai të bënte ato që mendonte se duheshin bërë. Një ditë më rrahu keq dhe më theu edhe një dhëmballë. Më çuan në birucë, pas disa orësh vjen një burrë tupmadh dhe më shkuli dhëmballën bashkë me një copë nofull me një darë që mbatheshin kuajt. Në atë moment humba ndjenjat dhe e kam parë veten në birucë. Gjaku nuk më pushonte. I kërkova policit kripë dhe më vonë ai ma solli, ajo ma ndaloi hemorragjinë. Momenti më i keq ka qenë ardhja e një personi në hetuesi, ka qenë kur Fezor Shehu urdhëroi që të më vrisnin, ai kishte tiparet e një krimineli të pandreqshëm”, rrëfeu Vaskë Orgocka.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al