Eksodi i bluzave të bardha vijon. Çdo ditë në dyert e ambasadës gjermanë mësyjnë që prej orëve të para të mëngjesit qindra mjekë dhe infermierë të cilët presin vizën e punës për t’iu drejtuar Evropës.
Kushtet e punës dhe jetesa më e mirë mbeten dy arsyet kryesore për të blerë biletën vetëm vajtje në Gjermani.
“Kemi një punë shumë të vështirë dhe ti kur nuk arrin të përballosh dot muajin do të thotë se një mundësi e mirë është ikja. Kam 9 vite që punoj dhe shumë kolegë më kanë ikur”.
Sipas tyre në spitalet e vendit edhe kushtet më minimale anashkalohen duke e bërë punën e infermierit tejet të vështirë.
Ndërkaq, në Gjermani situata është krejt ndryshe.
Gjermania ofron 15 mijë vende pune për infermierë, dhe deri më tani sipas kreut të shoqatës së infermierëve Elson Jaçaj janë larguar rreth 4000, shifër që rritet çdo ditë.
Ndërkaq shteti pritës po lehtëson edhe procedurat e aplikimit. Klan Plus mëson se kompanitë e punësimit po lobojnë për të futur në kurrikul të Fakultetit të Mjekësisë gjuhën gjermane, në mënyrë që edhe rekrutimi i tyre të jetë më i lehtë.
Klan Plus