Procesi i pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike është duke ecur me ritme të shpejta.

Në çdo qendër aplikimi në kryeqytet paraqiten mesatarisht 50 persona. Kështu në Njësinë bashkiake nr. 2 në Tiranë, e cila është dhe një nga më të mëdhatë numri i aplikantëve për tu pajisur me pasaporta biometrike arrin në 100.

Sipas punonjësve të njësisë bashkiake në krahasim me periudhën e verës numri i aplikimit ka rënë për shkak të largimit të emigrantëve, por ritet që fluksi të rritet edhe gjatë fundit ët vitit kur pjesa më e madhe e tyre kthehen për të kaluar festat.

Edhe në Njësinë bashkiake nr.10 dhe 3 në Tiranë vihet re një interes i qytetarëve. Mesatarisht në këto qendra numri i aplikimeve në ditë shkon deri në 40 persona.

Pajisja me këto dokumente është një kusht për liberalizimin e vizave. Deri tani janë prodhuar mbi 190 mijë pasaporta biometrike dhe janë tërhequr 150 mijë.

Ndërsa aplikimet shkojnë në 201 mijë në të gjithë Shqipërinë. Sipas të dhënave në Ministrinë e Brendshme mendohet se brenda vitit 2009 do të prodhohen rreth 350 mijë pasaporta biometrike./tvklan.al