Vala e nderimeve për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, shkrimtarit që e bëri Shqipërinë të njihej në gjithë botën atëherë kur ishte më e izoluar se kurrë u ngjit deri në pallatin presidencial të Francës.
Në një deklaratë për shtyp, zyra e presidentit Emanuel Makron shpreh nderimet më të larta për atë që e konsideron si “shkrimtarin franko-shqiptar, i cili jetoi dhe krijoi si një njeri i lirë, në Shqipërinë komuniste të pasluftës nën zgjedhën e hekurt të Enver Hoxhës.
“Ai ishte një nga ata për të cilët të shkruarit ishte luftë, nga ata të cilëve çdo fjalë i shkëputet nga heshtja, nga ata të cilëve çdo rresht rrezikon t’i shtohet në dosje, nga ata që çdo roman i kërcënon t’i shtohet në epitafin e karrierës së tyre, sepse ai jetoi dhe krijoi si një njeri i lirë, në një vend që nuk ishte: Shqipëria sovjetike e pasluftës nën zgjedhën e hekurt të Enver Hoxhës”.
Pallati Elize e përshkruan Kadarenë si intelektualin që i shpëtoi me mjeshtëri indoktrinimit dhe që gjeti guximin të denoncojë shtypjen që u bëhej intelektualëve të kohës nga regjimi komunist, një sjellje që i atij i kushtoi.
“Zbulimi i letërsisë i hapi adoleshentit brigjet e një bote të re. Duke lexuar Servantesin, Homerin dhe Gogolin, ai forcoi rezistencën e tij intelektuale, aq sa i rrëshqiti indoktrinimit nga profesorët e letërsisë në Universitetin e Tiranës si dhe në Institutin “Gorki” në Moskë, tempullin e letërsisë zyrtare. Në vend që të bashkohej me radhët e “trupës elitare të realizmit socialist”, ai u bashkua me luftëtarët e rezistencës së stilit të lirisë. Romani “Përbindëshi”, në vitin 1965 dhe Dimri i vetmisë së madhe, në 1973 denoncuan shtypjen intelektuale të Tiranës në atë kohë. Dy herë i akuzuar për nxitje rebelimi, ai iu nënshtrua një periudhe me punë krahu në një fshat të thellë”.
Sipas presidencës franceze ishte ishte pikërisht Kadare që i dha një prej goditjeve më të fuqishme diktaturës, në vitet e saj të fundit.
“Pas Pallatit të Ëndrrave, në vitin 1981, ai u konsiderua “armik i popullit”. I ndaluar nga publikimi, ai vendosi të kërkojë azil politik. Kështu ai iu drejtua vendit që kishte qenë i pari që përktheu librat e tij, i pari që u bë i apasionuar pas punës së tij përtej kufijve të tij. Me botuesin e tij Claude Durand, drejtuesin e shtëpisë Fayard, ai planifikoi një arratisje të madhe në Francë në vitin 1990, një tjetër goditje në murin e diktaturës”.
Kadare u nderua 16 Tetorin e vitit të kaluar me titullin e lartë të shtetit francez “Oficer i lartë i legjionit të nderit”.
Medaljen ia dorëzoi vetë presidenti francez Emanuel Makron, gjatë vizitës së parë zyrtare të një presidenti francez në Shqipëri.
Tv Klan