Manastirliu: Kemi bërë mbi 80 mijë teste të shpejta
Rritja e rasteve të dyshuara me Covid ka çuar në rritje të numrit të testimeve të shpejta të kryera në poliklinika. Teksa pa nga afër qendrën e re shëndetësore të Lanabregasit, ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bëri me dije se po punohet për izolimin e rasteve.
“Në Tiranë kemi hapur, përveç 6 qendrave të pikave të testimit në komunitet, edhe 4 qendra të tjera këtë javë. Në 54 pikat e testimit në të gjithë Shqipërinë janë kryer më shumë së 80 mijë teste të shpejta“, tha Manastirliu.
Në rritje ka ardhur edhe numri i pacientëve me Covid që kanë përfituar nga paketat e barnave falas.
“Nga paketa e rimbursimin antiCovid për pacientët me simptoma të lehta dhe të moderuara, kanë përfituar më shumë se 3 mijë qytetarë, të cilët janë mbështetur direkt nga mjeku i familjes, duke i përshkruar barnat e rimbursueshme falas për ta dhe duke marrë trajtimin e duhur mjekësor”, tha ministrja.
Ndërkohë kryebashkiaku Veliaj e vuri theksin tek rëndësia e ofrimit të shërbimit sa më pranë qytetarëve.
“Para një jave hapën qendrën shëndetësore në Lagjen 13, sot shohim të njëjtën cilësi edhe këtu. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe tek Astiri. Po punohet më të njëjtën cilësi kudo, pa diskriminuar askënd. Ky komunitet është rritur shumë, prandaj duke e pasur qendrën shëndetësore dy hapa larg, ndihmon shumë edhe në këtë situatë, por edhe me shtrirjen e Tiranës policentrike”, tha Veliaj.
Qendra e re do t’u ofrojë shërbim 5 mijë banorëve të Lanabregasit. Ky është një investim i qeverisë shqiptare në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, 52 prej të cilave vetëm në Tiranë.
Tv Klan