Dy shkolla të tjera në kryeqytet po pajisen me terrene sportive. Kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve tek shkollat “Mustafa Greblleshi” dhe “Sandër Prosi” në Sauk, e cilësoi ndërhyrjen si një nevojë për nxënësit.

“Ka qenë një merak i yni sepse fëmijët shkonin në terrene sportive private, ndërsa as shkolla nuk kishte rrethimin e duhur e krejt papritur oborri kthehej në parkim makinash. Sot kemi terrenet sportive, territori i shkollës është rrethuar, çka e bën të qartë se ky është një terren publik. Më vjen mirë që më në fund shteti ka marrë atë që është e vetja dhe kur them shteti, publiku, qyteti, lagjja jonë dhe nxënësit tanë, ndërkohë privati ka hapësirat e veta”.

Kryebashkiaku ftoi komunitetin dhe shoqatat sportive të shfrytëzojnë këto hapësira pas orëve të mësimit, për të siguruar një përdorim maksimal të terreneve të reja të basketbollit dhe futbollit.

“Ndaj, vërtet tani ndihem mirë që nxënësve mund t’u themi dilni me 10-ta, shkolla është në kushte të jashtëzakonshme, kemi edhe terrenet sportive. Kam një ftesë edhe për komunitetin, që ta përdorim hapësirën pas orëve të mësimit, për t’u siguruar që i gjithë ky komunitet e shfrytëzon këtë pronë. Ftesa është për banorët dhe shoqatat sportive që t’i shfrytëzojmë edhe fushën e basketbollit, edhe të futbollit”.

Veliaj tha se me përfundimin e këtij kantieri, do të nisë puna edhe për dy shkolla të tjera në Sauk.

Tv Klan