Puna për Teatrin e Ri po ecën me ritme të kënaqshme dhe brenda vitit 2025 pritet të mbarojë ndërtimi i karabinasë dhe të vijohet me fazën tjetër të punimeve. Kështu u shpreh Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj teksa inspektoi nga afër kantierin.
“Ky ka qenë një projekt shumë, shumë kompleks, shumë i debatuar, shumë i politizuar, por çdo krizë është edhe një mundësi. Mundësi për ta përmirësuar, mundësi për ta sqaruar më mirë, edhe mundësi për ta verifikuar se projekti po ndodh. Më vjen mirë që nuk ceduam as një cm2 te toka e teatrit; më vjen mirë që nuk ceduam as te propozimi për ta çuar te “Bregu i Lumit”, siç thoshin disa. Ky është një investim për 100 vitet e ardhshme, ndaj mezi pres që brenda vitit tjetër ta kemi mbaruar edhe karabinanë, ndërkohë paralelisht do të fillojmë me lotin e dytë, do hapim garën për pajisjet teknologjike, inxhinierike, audio, video, foni, fasada metalike, fasada xhami; pra, e gjithë pjesa e formës së betonit që është ajo perdja simbolike e kapur e skenës”.
Kryebashkiaku Veliaj u ndal edhe te parkingu nëntokësor dhe nënvizoi se do të ketë 100 vende parkimi.
“Parkingu nëntokësor do të ketë rreth 100 vende parkimi për stafin dhe artistët, të cilët nuk kanë asnjë arsye pse të kërkojë parkim në ditë të nxehta si sot. Komoditeti se mund të parkosh në vendin e punës, në katin zero, 1 dhe 2, është një lehtësi shumë e madhe. Plus është një mundësi që teatri të fitojë të ardhura. Sot arti subvencionohet, si kudo në botë, por jemi në një situatë ku disa projekte publike duhet të kenë edhe kuptim ekonomik. Sheshi “Skënderbej” e ka larë veten vetëm me lekët e parkingut nëntokë”.
Veliaj shtoi se pavarësisht politizimit që iu bë ndërtimit të godinës së re, teatri nuk ka humbur asnjë centimetër tokë dhe do të jetë një investim bashkëkohor për 100 vitet e ardhshme.
Klan News