Ndërtojmë edhe 12 palestra të reja
Në turin e tij bashkëbisedues me ekselentët e kryeqytetit, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka zhvilluar një takim me nxënësit e gjimnazit “Petro Nini”, me të cilët ndau lajmin se këtë vit nis rikonstruksioni edhe për këtë shkollë.
“Ne na duhet të mbyllim njëherë shkollat që kemi: sapo kemi mbyllur kantieret te “26 Nëntori”, te “Emin Duraku” po mbyllet tani. Pra, duam të mbyllim 9-vjeçaret, që këtë vit të fillojmë projektin për “Petro Ninin” dhe të fusim buxhetin për shkollën e re. Tek shkolla e re do të kemi një auditorium, madje e kemi kthyer në praktikë në çdo shkollë të re që bëjmë”.
Kreu i Bashkisë tha se këtë vit do të ndërtohen 12 palestra të reja, duke e çuar në 84 numrin e tyre.
“Këtë vit, kësaj baterie të 72 palestrave, do i shtojmë edhe 12 të tjera. Prapë nuk mjaftojnë. Inkurajimit të bashkisë për të çuar fëmijët në kurse sportive iu përgjigjën aq shumë prindër, saqë tani na duhen edhe më shumë ambiente”.
Veliaj vlerësoi promovimin e të rinjve ekselentë, si një mënyrë për të shfaqur vlerat njerëzore tek të rinjtë dhe të rejat e kryeqytetit.
Tv Klan