Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me sipërmarrës të këtyre bizneseve për të ndihmuar jo vetëm në promovimin e kryeqytetit, por edhe të ekonomisë lokale duke shfrytëzuar vitin kur Tirana është epiqendra e të rinjve europianë.
“Në vitin e Rinisë ne po operojmë si ‘Open Source’, ku secili merr logon e Kryeqytetit Europian të Rinisë dhe organizon aktivitetin e tij. Pra, të funksionojmë si burim të hapur, ku secili harton një program të caktuar. Edhe ky takim është një ftesë dhe një mundësi për të bashkëpunuar që ky vit të kthehet në një promovim për Tiranën, por edhe sipërmarrjet tuaja”, u shpreh Veliaj.
Ai e vuri theksin sidomos te lokalet e natës, ku sipas tij gjenerohet edhe një pjesë e madhe e ekonomisë së kryeqytetit.
“Sot shumë njerëz e konsiderojnë biznesin e natës si diçka argëtuese, por jo domethënëse. Ndoshta, sepse nuk e dinë faktin se në këtë industri punojnë 10 mijë vajza dhe djem; nuk janë vetëm barmenët dhe kamerierët, por është një pjesë e madhe njerëzish që nuk shfaqen, si kuzhina, siguria, higjiena, taksitë, etj., pra është një reaksion zinxhir. Kur shikon sa i madh është ky zinxhir, atëherë e kupton se çfarë peshe ka në ekonominë e vendit”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i ftoi sipërmarrësit që t’i bashkohen thirrjes për projektet deri më datën 28 Janar ku është e gatshme të financojë biznese që do organizojnë evente.
Klan News