Turin e falenderimeve me rastin e 33-vjetorit të Partisë Socialiste, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj e ndali këtë të dielë në një takim me socialistët e Farkës, Petrelës dhe Baldushkut.
Teksa falenderoi kontribuesit përgjatë këtij rrugëtimi, Veliaj u shpreh se Partia Socialiste shkon në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me kokën lart.
“Kur mendoj sa njerëz janë bërë me shtëpi në Petrelë, në Baldushk, në Farkë, shumë më të mira se ato që prishi tërmeti, them se e kemi kokën lart. I shohim njerëzit në sy, me premtime të mbajtura, dhe me gjithë të drejtën e Zotit dhe të robit, që të kërkojmë mbështetje për fitoren tonë në vitin 2025.”
Duke u ndalur tek protestat e opozitës, Veliaj tha se djegia e gomave para bashkisë e parlamentit tregon se opozita nuk ka ndryshuar.
“Më vjen keq sepse jemi në vitin 2024 dhe djegin ende goma te Bashkia dhe te Parlamenti. Si në mesjetë! Përkufizimi i budallallëkut është: Të bësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultat tjetër. Po bëre të njëjtën gjë, të njëjtin rezultat do kesh.”
Pavarësisht sjelljes së opozitës, Veliaj theksoi se Partia Socialiste ka treguar që di të bëjë shtet, duke u shërbyer të gjithëve pa asnjë dallim.
Tv Klan