Një nga prioritetet e Bashkisë së Tiranës janë shkollat. Teksa inspektoi punimet tek shkolla 9-vjeçare “Ibrahim Hima” në Vaqarr, kryebashkiaku Veliaj theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve të mira të mësimit për nxënësit e zonës.
“Fakti se 1/3 e punës është bërë në më pak kohë seç ishte parashikuar, do të thotë se e gjithë shkolla do të mbarojë në kohë rekord. Mezi pres që fëmijët të kenë një super hapësirë. Ka qenë ndoshta shkolla e vetme, ose ndër dy të vetmet, të cilat e kanë pasur tualetin jashtë.“
Veliaj shtoi se po punohet për ndërtimin e shkollave të reja në zona si Astiri.
“Duam që brenda dhjetorit të mbarojmë garat për shkollat tek lagjja ‘Rilindja’, tek Unaza e Madhe. Fillimi i tre shkollave aty zgjidh përfundimisht një ngërç të jashtëzakonshëm që kemi pasur aty.”
Shkollat e reja dhe ato të rindërtuara për Veliajn janë një trashëgimi e vyer për brezin e ri.
“Ne do t’i lemë Tiranës një ‘buqetë’ me 50 shkolla. Llafet, cic-micet, i merr era, sherret e ditës harrohen. 50 shkollat ngelen. Këto shkolla janë “paja” që ia lëmë një brezi të ri”.
Veliaj thotë se falë bashkëpunimit, Tirana ka menaxhuar me sukses çdo krizë.
Tv Klan