Godina e Teatrit të ri Kombëtar merr formë brenda një viti. Teksa vlerësoi ecurinë e punimeve në kantier, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se koha e humbur për ndërtimin e teatrit erdhi për shkak të bllokimeve që iu bënë projektit.
“Sot jemi në fazën e ndërtimit, port ë mos harrojmë se kemi humbur 30 vite për dy fazat e tjera, të projektimit dhe vizionit. E di që kemi një cirk konstant nga një grup klounësh, që vazhdon të djegë goma nën suazën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, kur në fakt të gjithë e dinë se ajo është Aleanca për Mbrojtjen e Saliut. Rrugaçëria, djegia e gomave, goditja ndaj forcave të Policisë, dëmtimi i një objekti që është monument kulture si selia e Bashkisë së Tiranës, që nuk është prona ime, të gjitha këto nuk kanë lidhje me teatrin. Ky është një cirk i shëmtuar, është bërë shumë bajat dhe banal. Fakti që Tirana i ka braktisur totalisht, do të thotë se Tirana mezi po pret Teatrin e Ri”.
Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, teatri i ri përveçse do të ketë kushte bashkëkohore, projekti parashikon edhe një hapësirë për parking nëntokësor. Një përgjigje pati edhe për protestat e opozitës.
“Mënyra më e mirë për t’i dhënë një përgjigje djegies së gomave dhe banalitetit grotesk që krijohet me këtë ritualin për lirimin e Saliut, është ndërtimi i kësaj vepre. Kush e mban mend historinë e Tiranës moderne, asnjë projekt i madh që ka ndryshuar jetën e qytetit nuk është bërë pa sherr nga ata që dinë të bëjnë vetëm sherr”.
Veliaj tha se gjatë verës puna për teatrin do të vijojë me tre turne, për të shfrytëzuar largimin me pushime të qytetarëve, kur Tirana ka më pak lëvizshmëri.
Tv Klan