Ish-Presidenti Ilir Meta pati një reagim pasi Gjykata e Apelit i dha vulën Sali Berishës. Meta u shpreh se Berisha nuk e ka marrë vulën e PD-së pasi është vetë vula e selisë blu. Gjatë fjalës së tij, ai uroi të gjithë demokratët dhe opozitarët.

“Dua të përshëndes të gjithë demokratët dhe demokratet anembanë vendit dhe në veçanti liderin e paepur të tyre Profesor Doktor Sali Berishën për triumfin e të vërtetës dhe të legjitimitetit mbi kapjen e drejtësisë nga Edi Rama. Dhe të përshëndes këtë vendim që rikthen vulën tek demokratët dhe demokratet dhe heq nga kthetrat kriminale të Edi Ramës.

Urimet më të mira për demokratë, për të gjithë opozitarët. Sot është një moment i rëndësishëm për të shtuar të gjithë forcat për rivendosjen e legjitimetit në vend në çdo drejtim, për rivendosjen e kushtetutshmërisë së cenuar rëndë nga ky regjim kriminal, për rivendosjen e parlamentarizmit dhe kontrollin e parlamentit mbi qeverinë dhe për vendosjen e llogaridhënies në çdo nivel. Shkatërrimi i opozitës i duhej Edi Ramës për të grabitur zgjedhjet e fundit vendore sikurse ndodhi përmes diversionit me vulë dhe pa vulë e problemeve të tjera që cënuan rëndë qartësinë e votuesve dhe legjitimitetin e procesit. Shkatërrimi i opozitës i duhet që të vjedhë pa u ndëshkuar qytetarët shqiptarë në të gjitha format dhe mënyrat. Sali Berisha nuk ka marrë vulën e PD-së. Unë e kam thënë prej kohësh që është vetë vula e PD-së”, u shpreh Meta.

Gjykata e Apelit mori vendimin këtë të martë që pas 3 vitesh vula e PD-së i takon liderit historik të demokratëve, Sali Berisha. Tanimë, kryetari legjitim i partisë më të madhe opozitare në vend është ish-kryeministri./tvklan.al