Ligjvënësit e Koresë së Jugut i kanë kërkuar presidentit Yoon Suk Yeol që të japë dorëheqjen pasi ai shpalli ligjin ushtarak, duke shkaktuar një krizë politike në ekonominë e katërt më të madhe të Azisë.
“Ne kemi paraqitur një mocion fajësimi të përgatitur urgjentisht,” thanë përfaqësuesit e partive opozitare, të cilat përfshijnë Partinë Demokratike, kryesore të opozitës.
Sipas Kushtetutës së Koresë së Jugut, kërkohet mbështetja e dy të tretave të Asamblesë Kombëtare prej 300 anëtarësh për të fajësuar një president në detyrë. Pra duhen 200 vota për ta shkarkuar Presidentin, ndërsa Partia Demokratike, partitë e vogla të opozitës dhe të pavarurit kanë së bashku vetëm 192 vende.
Në këtë mënyrë ata do të kenë nevojë për mbështetjen e të paktën tetë anëtarëve të Partisë së Pushtetit Popullor të Yoon për të kaluar mocionin e shkarkimit. Më pas mocioni për largimin e Presidentit pritet të dorëzohet në seancën plenare të Asamblesë Kombëtare të enjten dhe votimi ka të ngjarë të mbahet më 6 ose 7 Dhjetor.
Nëse Yoon shkarkohet, atij do t’i hiqet pushteti, derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë për fatin e tij. Kryeministri Han Duck-soo, njeriu numër dy në qeverinë e Koresë së Jugut, do t’i marrë përsipër përgjegjësitë presidenciale.
Pas votimit 190 ligjvënës të pranishëm në Dhomën e Asamblesë Kombëtare bllokuan njëzëri masën dhe presidenti Yoon njoftoi anulimin e vendimin e tij për ligjin ushtarak. Udhëheqësi i Partisë së Pushtetit Popullor në pushtet bëri thirrje që edhe ministri i Mbrojtjes, Kim Yong-hyun të shkarkohet dhe i gjithë kabineti të japë dorëheqjen.
Yoon i kishte bërë thirrje kombit në një fjalim televiziv se ligji ushtarak ishte i nevojshëm për të mbrojtur vendin nga Koreja e Veriut e dhe forcat antishtetërore pro-Veriore dhe për të mbrojtur rendin kushtetues. Disa ekspertë thonë se Yoon ka shkelur Kushtetutën në mënyrën se si ai e shpalli ligjin ushtarak.
Protestuesit jashtë Asamblesë Kombëtare bërtitën dhe duartrokitën pas anulimit të vendimit. Më shumë protesta priten nga koalicioni më i madh i sindikatave të Koresë së Jugut, Konfederatën Koreane të Sindikatave, që planifikon të mbajë një tubim në Seul dhe duke u zotuar të bëjë grevë derisa Yoon të japë dorëheqjen.
Ambasada amerikane u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Korenë e Jugut që të shmangin zonat ku mbahen protestat, ndërsa këshilloi punonjësit të punojnë nga shtëpia.
Klan News





